Konflikti palestinezo-izraelit në prizmin arkeologjik

Mixhait Pollozhani

Edhe arkeologjia dëshmon se rrënjët e konfliktit palestinezo-izraelit janë të thella deri në (para)histori, ashtu që “atdheu i lashtë” i filistinëve dhe “Toka e Premtuar” (apo Toka Biblike) e hebrenjve të kthyera në “Tokë të Shenjtë”, ku e (pa)drejta dhe (pa)drejtësia shërbejnë si “kasus belli” të pafund në rrugëtimin e shtet-formimit të përgjakshëm të këtyre dy popujve, që kanë vënë në pikëpyetje mbijetesën e llojit të tyre, dikur të izraelitëve dhe sot të palestinezëve, vazhdojnë të krijojnë (nën)shtresa akropolesh dhe nekropolesh të reja!

Mixhait POLLOZHANI, Strugë

Rikthimi im në faqet e të përmuajshmes “Shenja” pas disa vitesh pauze, nuk di nëse kjo mungesa pati ndonjë domethënie gjithaq të madhe për këtë revistë, por pa dyshim që për mua është tejet e rëndësishme. Mendoj kështu, sepse kjo revistë e vazhdoi punën e saj të vyer publicistike, ndërkohë që mua më mungoi mundësia për t’i shprehur pikëpamjet e mia rreth fenomeneve shoqërore, me theks të veçantë të përqendruar te problemet e fushës së trashëgimisë kulturore dhe të asaj artistike. Por, ja që ky rikthim lidhet me një moment kur redaksia si temë boshte të revistës së këtij muaji e ka caktuar Luftën në Palestinë, e cila pa dyshim që është një temë shumë e rëndë, e ndjeshme, komplekse dhe shumë e komplikuar!

Për të qenë korrekt me veten dhe sidomos me lexuesin, më duhej kjo parantezë për të pranuar faktin se nuk jam nga ata që e kultivoj gazetarinë (publicistike) analitike, sepse për një gjë të tillë, përveç informacioneve dhe analizave të publikuara, nevojiten edhe të dhëna plotësuese, sidomos nga institucionet që merren me hulumtimin e çështjeve të konflikteve dhe luftërave, por edhe burime akoma më sekrete diplomatike dhe të shërbimeve inteligjente. Edhe pse shumëkush do të thoshte se gjithçka dihet dhe është e dukshme në lidhje me këtë luftë, por megjithatë e vërteta e saj, sidomos në këto kohëra (post)postmoderniste, skajshëm është vënë në dyshim, derisa edhe shumë e pështjelluar. Por, duhet theksuar se si burime referimi për këtë artikull është përdor Fjalori Enciklopedik Britanika, por edhe faqja elektronike https://www.velikaborba.com/istorija-izraela-u-arheoloskim-iskopinama/.

E (pa)drejta dhe (pa)drejtësia

Sidoqoftë, për ta respektuar planin e redaksisë, edhe unë vendosa për të shkruar diçka nga këndvështrimi i kontekstit historik të këtij konflikti të armatosur, i cili shkon përtej dy shekujve të fundit, duke i kërkuar rrënjët e tij diku në lashtësi, thellësitë e të cilit prekin deri edhe (para)histori. Për të qenë më konkret, subjekti tematik i këtij artikulli do të përqendrohet te zanafilla dhe zhvillimi i trashëgimisë kulturore palestineze dhe izraelite, që jo njëherë janë përafruar dhe janë ndeshur gjatë historisë.

Ta mbështesësh vetëm në argumentet trashëgimisë kulturore këtë konflikt, kjo tingëllon paradoksale derisa edhe surreale, por megjithatë faktet flasin se ka dëshmi të mjaftueshme që drejtpërsëdrejti e prekin dimensionin kohor të lashtësisë së këtij konflikti shumëshekullor. Por, për më shumë, duke i vënë përballë të drejtën dhe drejtësinë mbi fatin historik të këtyre dy popujve. E “drejta” dhe “drejtësia”, si dy kategori kanonike tradicionale shoqërore, të artikuluara edhe si dy norma juridike (kushtetuese), të cilat bashkëjetojnë historikisht qëkur ka filluar njeriu të organizohet në shoqëri, duke u vënë në raporte mohuese, ndërthurin “nyjën gordiane”, e cila shumë vështirë po shthuret! Kështu ndodh, ngase e drejta bëhet e padrejtë, ndërkaq drejtësia katandiset në padrejtësi! Pikërisht e (pa)drejta dhe (pa)drejtësia është kthyer në një “kasus belli” të pafund në rrugëtimin e shtetformimit të këtyre dy popujve, të ushqyer fortë me kauzat mitologjike e fetare mbi “Tokën e Premtuar” dhe “Tokën e Shenjtë”, që jo një herë e kanë vënë në pikëpyetje mbijetesën e llojit të tyre, dikur më shumë të izraelitëve dhe sot ekskluzivisht të palestinezëve!

(Para)historia e tokës së shenjtë

Gjatë historisë së gjatë 3500-vjeçare, kjo zonë ka mbajtur emra të ndryshëm, siç janë Kanaan, Filistina, Judea etj. Kështu, “atdheu i lashtë” i filistinëve dhe “Toka e Premtuar” (ose Toka Biblike) e hebrenjve u kthyen në “Tokën e Shenjtë”, e cila, siç sugjeron edhe vetë emri, ka një rëndësi të madhe për tre fetë botërore: Krishterimin, Judaizmin dhe Islamin. Rajoni (ose të paktën një pjesë e tij), që njihet si “Toka e Shenjtë”, pra mbahet e shenjtë midis hebrenjve, të krishterëve dhe myslimanëve. Në “tokën e shenjtë” ka shumë vende të rëndësishme fetare me të kaluar të begatshme historike, siç janë: Jerusalemi, Bethlehemi, Hebroni, Nazareti, Jerikoni etj. Për të krishterët në këtë tokë është vendlindja e besimit të krishterë, vendi ku ai lindi (Betlehem), ku ai profetizoi (Nazareti) dhe vendi i vdekjes dhe ringjalljes së Jezu Krishtit (Jerusalemi). Për hebrenjtë është toka që Zotit ia ka “premtuar” këtij populli, ku edhe prehen pothuajse të gjithë paraardhësit i tij dhe aty ndodhet varri i njërit prej mbretërve të tyre, Davidit. Jerusalemi, ndërkaq, është qyteti i tretë më i rëndësishëm për besimtarët myslimanë, sigurisht pas Mekës dhe Medinës, sepse në të është vendi (shkëmbi) nga ku profeti Muhamed është “ngjitur” në qiell.

“Toka e Shenjtë”, pra është kuptimi fetar për zonën që sot politikisht dhe gjeografikisht quhet Izrael dhe Palestinë dhe, në një kuptim më të gjerë, edhe pjesë të zonave fqinje (Liban, Siri, Sinai etj.). Por, si palestinezët, ashtu edhe izraelitët, e kanë (para)historinë e tyre. Filistinët kanë qenë një popull me prejardhje nga bota egjeane, të cilët janë vendosur në bregun e mesdhetar të Palestinës. Të dhënat arkeologjike flasin se filisitinët për herë të parë në këtë krahinë janë vendosur në shekullin XII p.e.s. Ata jetonin në pesë qytete – Pentapolis, të cilët bashkërisht e përbënin Filistinën, prej ku grekët antikë e nxorën emrin Palestinë. Së pari luftuan me mbretin e izraelitëve, Davidin, më vonë me ata (filistinët) ka sunduar Asiria, Egjipti, Babiloni, Persia, Greqia dhe Roma. Grupi përmendet edhe te Dhiata e Vjetër, prej ku burojnë edhe shumë informacione mbi ta, edhe pse ata nuk kanë lënë dokumente të shkruara. Dëshmitë arkeologjike të pushtimit filistin janë gërmuar në Ashkelon, Ashdod dhe Ekron.

Në po të njëjtën kohë, në këto toka kanë arritur edhe hebrenjtë. Sipas Biblës, paraardhësi i hebrenjve, Abrahami, është zhvendosur në Kanaan kah fillimi i mijëvjeçarit II p.e.s. Disa shekuj më vonë, fiset hebraike, për shkak të urisë, janë zhvendosur në Egjipt. Por, pas shumë vitesh jete paqësore në rehatinë egjiptiane, ka filluar shtypja e hebrenjve, e cila është pasuar nga përpjekjet e faraonit për t’i shfarosur duke vrarë çdo djalë të lindur në një familje hebreje. Kështu ka nisur gjenocidi i parë historik kundër hebrenjve.

Trashëgimia artistike si argument

Pa dyshim që informacionet e mia të hershme mbi këta dy popuj ishin shumë të varfra, por dy burime prej tyre kanë të bëjnë me vepra të artit si vlera të trashëgimisë kulturore, të cilat do t’i pasqyrojmë si argumente plotësues për të pasqyruar lidhshmërinë ose edhe kundërthëniet historike midis palestinezëve dhe izraeliteve. Njëri burim, i cili është me karakter biblik, lidhet me veprën e parë të shkrimtarit Fan Stilian Noli, e cila në fakt është një dramë me tre akte e titulluar “Israilitë dhe Filistinë”, të cilën ai e shkroi në Athinë në vitin 1902, kur shkrimtari ishte vetëm 20 vjeç, ndërsa e botoi në Boston të SHBA-ve në vitin 1907. Subjekti i saj është bazuar në historinë e Samsonit dhe Dalilës, të marrë nga Dhiata e Vjetër (Bibla). Drama e merr temën nga Samsoni izraelit, i cili shkon në vendin e filistinëve me mision për t’u predikuar fenë. Atje filistinja Dalila ngarkohet me detyrën ta zbulojë sekretin e fuqisë së madhe të Samsonit. Ky i fundit i dorëzohet bukurisë së Dalilës dhe ia tregon të fshehtën e tij: fuqinë e kishte te flokët. Filistinët e dehin, pastaj e qethin, e verbojnë dhe e tallin. Tema e dramës është çështja nëse kulturat e ndryshme mund të jetojnë në kontakt me njëra-tjetrën duke ruajtur veçantitë e veta ose njëra prej tyre do të asimilohet.

Ndërkaq, njohuritë e mia mbi këtë çështje u zgjeruan gjatë studimeve mbi lashtësinë e Lindjes së Afërme, përkatësisht mbi arkeologjinë dhe artin, të krijuar në territorin ku sot shtrihen dy popujt në fjalë, por edhe popujt e tjerë fqinjë. Sidomos është për t’u theksuar rëndësia e zbulimit arkeologjik në qytetin Jerikon, ku ndër tjera janë zbuluar disa punime artistike me koka njerëzish (Xhonson, 1975, 24). Në fakt, bëhet fjalë për kafka të vërteta njerëzish, fytyra e të cilëve është “rekonstruuar” me anë të gipsit të ngjyrosur, si dhe me pjesë të vendosura nga guacat të detit në vend të syve. Si shembulli më tipik i këtyre punimeve artistike njihet “Koka e Jerikonit”, e cila shquhet për finesën dhe precizitetin e modelimit, të realizuar nëpërmjet shkallëzimit të ëmbël të sipërfaqeve dhe të rrudhave të fytyrës, që flasin se sa janë të hershme, po aq janë edhe të rëndësishme. Ndonëse tiparet e fytyrës nuk tregojnë një lloj të vetëm, duket që secila kafkë ka një veçori saktësisht individuale. Pra, bëhet fjalë për veprat e para me fytyrë të njeriut, me karakteristika psikologjike dhe identifikuese. Por, edhe me nivelin e qytetërimit të Jerikonit.

Dëshmitë arkeologjike të Jerikonit

Hulumtimet arkeologjike kanë konstatuar se formimi i vendbanimit Jerikon ka filluar që rreth 12 mijë vjet më parë dhe ai është ngritur në territorin e Palestinës, që lidhet me kohën e mezeolitit (epokës së mesme të gurit). Ndërkohë që, rreth viteve 8000 p.e.s., pikërisht në Jerikon është zhvilluar bashkësia më e vjetër qytetare (urbane) në botë. Asokohe, banorët e saj kishin qenë të aftë për të ndërtuar mure të mëdha guri për ta fortifikuar vendbanimin. Muret mbroheshin edhe me kulla guri. Në atë kohë në qytet kanë jetuar nga 2 deri në 3 mijë banorë. Me anë të gërmimeve arkeologjike në afërsi të këtij vendbanimi janë zbuluar kanale vaditëse, dëshmi për punimin e tokës dhe kultivimin e drithërave të ndryshme. Për një kohë relativisht të gjatë jeta në Jeriko dukshëm është zbehur, por ringjallja e këtij qyteti ndodh rreth vitit 2300 p.e.s., kur fiset e reja nomade u vendosën aty, ndoshta amorejtë, kurse rreth vitit 1900 p. e. sonë shkuan edhe kanaanejtë.

Qyteti i Jerikonit është i njohur edhe në përshkrimet e Biblës, por ai lidhet edhe me një ngjarje të rëndësishme historike, sepse ai është qyteti i parë që është sulmuar nga fiset hebraike. Sipas një teksti nga Dhiata e Vjetër (Biblës), ku përshkruhet rrethimi dhe rënia e këtij qytetit (shih Bibla – Dhiata e Vjetër, Joshua, 61-626) mësohet se pasi u larguan nga Egjipti dhe u endën për shumë vite, hebrenjtë arrijnë në tokën e Kanaanit dhe aty u gjendën para Jerikonit. Në atë kohë qyteti banohej nga disa mijëra banorë dhe mbrohej nga mure dhe fortifikime të forta. Megjithatë, pas një rrethimi të fortë qyteti është djegur, është pushtuar dhe është plaçkitur rëndë.

Në vijim do ta shohim se sa përputhen përshkrimet e Biblës me dëshmitë arkeologjike të zbuluara gjatë dy ekspeditave të mëdha të ndërmarra në qytetin e Jerikonit. Gërmimet e para janë bërë nga arkeologu Xhon Garstang (John Garstang) midis viteve 1930 dhe 1936, kur janë zbuluar dy palë mure paralele me një hapësirë ​​prej rreth katër metra e gjysmë ndërmjet tyre. Duke u bazuar te gjurmët e djegies nga një zjarr i madh, që e ka përfshirë dhe shkatërruar plotësisht qytetin, Garstangu ka konstatuar se zjarri ka ndodhur rreth vitit 1400. p. e. sonë. Ndërkohë që gërmimi i dytë i Jerikos ka qenë i drejtuar nga arkeologia Katlin Kenion (Kathleen Kenyon), gjatë viteve 1952-1958. Edhe kjo arkeologe, ashtu si shumë të tjerë, mendonte se zbulimet e Garstangut ishin “shumë të mira për të qenë të vërteta”. Dhe, pas disa vitesh kërkimi, ndonëse ajo e pranon në librin e saj “Arkeologjia në ‘tokën e shenjtë’” se ky qytet është shkatërruar nga zjarri, megjithatë, muret e dëmtuara i daton pak para pushtimit të Jerikonit nga hebrenjtë.

Ndërkaq, në vitin 1990, arkeologu amerikan Brajant Vud (Bryant Wood) ka arritur deri te disa informacione të reja në lidhje me shkatërrimin e Jerikonit. Duke e kontestuar datimin e një sasie të qeramikës së bërë nga arkeologia Kenion, Vudi pohon se disa të dhënë të reja janë më të përafërta me datimin e Garstangut, i cili besonte se kishte prova arkeologjike për të konfirmuar se djegia e këtij qyteti ka ndodhë aty kah viti 1360 p. e. sonë. Pra, edhe arkeologjia tregon se si kohë e shkatërrimit të Jerikonit mund të merret viti 1400 p. e. sonë. Gjithashtu, gjetjet arkeologjike nga Jerikoni përputhen me njoftimet e Biblës.

Përfundimi

Kështu mbijetuan nocionet Palestinë dhe Izrael, të cilët nga antroponime fisesh janë kthyer në toponime shtetesh, të lidhur në mënyra të ndryshme me atdheun e tyre, kurse ndonjëherë edhe në mënyrë të diskutueshme me atë territor aq të vogël. Ashtu siç zona e tyre gjeografike e përcaktuar nga emri është transformuar, ashtu edhe statusi politik i tyre ka pësuar ndryshim gjatë historisë.

Por, që nga fillimi i shekulli XX, kjo tokë ka qenë objekt i pretendimeve kontradiktore të lëvizjeve kombëtare dhe shtetërore hebraike dhe arabe, për çka konflikti ka çuar në dhunë të zgjatur, por në disa raste edhe në luftë të hapur. Dhe nën violencën e konflikteve dhe gjakderdhjen e luftërave të njëpasnjëshme vazhdon problemi i pazgjidhur ndërmjet palestinezëve dhe izraelitëve, që duket se po krijojnë (nën)shtresa akropolesh dhe nekropolesh të reja, të cilat mbase një ditë do të jenë në shërbim të arkeologjisë për të mirën e gjeneratave të ardhshme të këtyre dy popujve! /revistashenja