Konjufca bën homazhe te varrezat e familjes Mirena në Nakaradë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka bërë homazhe në Nakaradë të Fushë –Kosovës, ku ishin ekzekutuar 16 anëtarë të familjes Mirena nga forcat serbe.

Konjufca tha se të vrarët ishin kudo nëpër Kosovë, të gjithë nën tre emërues të përbashkët: ata ishin shqiptarë, të gjithë të pafajshëm, të gjithë të paarmatosur.

“Përgjatë fushatës së gjenocidit të forcave të Serbisë ndaj popullsisë civile në Kosovë, mbi popullin shqiptar zuri vend vuajtja e papërshkrueshme, masakra të cilat fjala nuk ia del t’i rrëfejë në plotni në masën e dhimbjes që ato ngjarje të tmerrshme bartin. Të vrarët ishin kudo nëpër Kosovë, të gjithë nën tre emërues të përbashkët: ata ishin shqiptarë, të gjithë të pafajshëm, të gjithë të paarmatosur. Ishin shumë familje që mbetën pa më të dashurit e tyre. Ndër ta edhe familja Mirena në Nakaradë të Fushë Kosovës, ku forcat kriminale serbe ekzekutuan 16 anëtarë të tyre. Sot bëra homazhe për ta nderuar veprën e tyre të sakrificës sublime, për jetët e dhëna në emër të idealit të lirisë”, tha ai.

Konjufca theksoi se sakrifica e atdhedashurisë do të kujtohet gjithmonë pasi sipas tij, falë saj e gëzojmë lirinë dhe shtetin.
“Gjithmonë do ta kujtojmë sakrificën e atdhedashurisë falë të cilës e gëzojmë lirinë dhe shtetin tonë, me vendosmërinë e pakompromis për vendosjen e drejtësisë së plotë që ende mungon. Lavdi martirëve të familjes Mirena në Nakaradë të Fushë Kosovës dhe gjakut të të gjithë të rënëve që rrjedh në venat e lirisë sonë dhe të Republikës së Kosovës!”, tha tutje Konjufca.