Kontributi i grave të gjeneratës së parë në Islam

Prof. asoc. Dr. Fahrush Rexhepi

Nuk ka shtëpi dhe çift bashkëshortor që të kenë dashuri dhe respekt për njëri – tjetrin, siç kishte në mes të Dërguarit të Zotit dhe Hatixhes r.a. Nëse dëshiron që lumturinë bashkëshortore ta bësh të mëshiruar dhe si diçka që mund të bëhet realitet, mësoje jetën e Muhamedit a.s.

Lindja e vajzave shton shpresën tek Allahu xh.sh. dhe ambicien për të fituar shpërblimin e Tij të pakufishëm. Shpresat e tilla duhet të jenë motivim për prindërit, që të gëzohen kur u lind vajzë. Prindërit duhet ta konsiderojnë fatmirësi dhe sihariq, duke triumfuar ndaj zakoneve të prapambetura, të cilat akoma ushtrojnë ndikim për injorimin e femrës, duke e konsideruar atë si barrë dhe ndonjëherë edhe si burim turpi.
Lindja e vajzave mund të themi se është rriskë dhe bereqet i Allahut xh.sh.. Vlerësimet pozitive për femrën e kanë burimin në Kur’anin famëlartë dhe në hadithet e Pejgamberit a.s., i cili i dha asaj të drejtat e barabarta dhe e vlerësoi si nënë, vajzë dhe bashkëshorte. Muhamedi a.s. ka thënë dhe ka premtuar: “Kushdo që ka tri vajza, i edukon dhe sillet mirë me to, ka merituar Xhenetin”. Në një transmetim tjetër thuhet “dy vajza”, kurse në transmetimin e tretë thuhet “një vajzë”.1
Muhamedi a.s. ishte ai që riformatizoi mentalitetin arab, po edhe atë grek e mbarënjerëzor karshi femrës, duke e lartësuar mbi zakonet dhe traditat e vjetra, mbi perceptimet e pabaza e të padrejta dhe mbi natyrën perverse. Ai deklaroi haptazi se femra (gruaja) është motër e burrit, binjake dhe e barabartë me të që në ditët e para të krijimit dhe obligimit të përgjegjësisë. Muhamedi a.s. ka thënë: “ Gratë janë motrat e burrave”.2
Në burimet koleksionuese të thënieve të Pejgamberit a.s. gjejmë kapitullin “Kapitulli i prindërve që janë nderuar me vajza”. Ndërkaq, një tekst tjetër pejgamberik na orienton se ç`duhet thënë para kontaktit që shënon zanafillën e lindjes së fëmijëve djem apo vajza.
Ky tekst thotë: “O Zot! Na largo nga shejtani dhe largoje shejtanin nga ajo që ka bërë risk për ne”!3
Pra ,ato janë motrat e djemve, janë risk prej Zotit, i cili meriton mirënjohje. Është bërë e natyrshme kohët e fundit që nëpër xhami, nëpër tribuna dhe nëpër sesione e konferenca të ndryshme shkencore, të trajtohen apo të flitet kryesisht për figura dhe personalitete burra. E po, ku janë gratë? A kanë dhënë edhe ato kontribut në jetë e në shoqëri, në familje, në arsimim, në edukim…? A kanë edhe ato merita dhe kontribut së paku gjatë jetës së Pejgamberit a.s.. Këto janë motive që më shtynë të trajtoj këtë temë, në mënyrë që t`u përgjigjem disa prej këtyre pyetjeve të parashtruara.

Nënat besimtare shembull dhe model i mirë për të gjithë

Studimet dhe hulumtimet rreth femrës, rreth fëmijës, të riut dhe të resë në historinë islame, duke filluar nga biografia profetike si dhe hulumtimet dhe analizat e përmbledhura rreth tyre, na japin përgjigjet e përshtatshme si dhe na ofrojnë zgjidhjet e përshtatshme të shumë problemeve me të cilat ballafaqohen sot shumë edukatorë. Ato gjithashtu prezantojnë shembullin dhe pasqyrën më ideale për gjeneratat e reja.
Është fakt i pakontestueshëm se gjeneratat e reja sot janë më se të nevojshme për një shembull të vyer e të mirë, sidomos në këtë kohë kur Ymeti islam e ka humbur identitetin e tij në kohën kur shumica e djemve dhe e femrave myslimane kanë hyrë në gara të zjarrta rreth epsheve dhe kënaqësive, ndërsa shembulli dhe ilustrimi i tyre ideal kufizohet me gjeneratën e artit të shfrenuar, muzikës së çmendur apo me gjeneratën e sportit dhe të zbavitjeve marramendëse.
Kundërshtarët e fesë islame e dinë shumë mirë çështjen e rëndësisë që i jep Islami pozitës së femrës në shoqëri, prandaj edhe shpejtuan të bënin zhurmë mbi ngritjen e pozitës së saj në shoqërinë kinse moderne. Aty- këtu ngritën zërin e tyre duke kërkuar emancipimin e saj, emancipim që shkon me sytë e zhveshjes, daljes së gruas për të punuar jashtë dhe përzierjen e saj me burra të tjerë, madje edhe të ecë drejtë rrugës së keqe dhe fatzezë. Nga ata që ngritën zërin për mbrojtjen e të drejtave të gruas, ka të tillë që, nga mentaliteti primitiv, shpeshherë e fajësojnë gruan për faktin se lind vajza, ndërkohë që, sipas Sheriatit islam, vajza është mburojë nga zjarri për prindërit e saj, po edhe burim risku.
Sipas Sheriatit, por edhe sipas shkencës, embrioni është një përzierje e spermatozoidit të burrit dhe vezores së gruas. Allahu xh.sh. në Kur’anin famëlartë thotë: “Ai krijon çiftet, mashkull e femër, prej një pike fare kur derdhet”.(En-Nexhm, 45- 46).
Sipas interpretuesve të Kur’anit, përgjegjësia e gjinisë së embrionit është e burrit. “Është krijuar prej një lëngu që hidhet”.(Et-Tarik, 6).
Ajo që nuk ka kurrfarë dyshimi, është se burri dhe gruaja marrin pjesë në formimin e këtij embrioni.
Në një hadith të saktë thuhet se, nëse sperma e burrit qëndron mbi atë të gruas, embrioni është mashkull, në të kundërt është femër.4 jo vetëm në këtë aspekt, por edhe në shumë aspekte të tjera, Islami mbron personalitetin dhe dinjitetin e gruas. Shpeshherë, kur Allahu xh.sh. sjell shembull dhe model për besimtarët në Kur’an, nuk përmend emrin e ndonjë burri, po të disa grave: (Shih:Tahrim, 11-12).
Mbështetur në këtë ajet kuranor, shembull dhe model për besimtarët, nuk qenkan burrat, po gratë. Kjo, sepse gratë janë edhe nëna, edhe bashkëshorte, edhe edukuese të fëmijëve, edhe edukuese të brezave të ardhshëm. Nga barku i nënave shpresohet të dalin burra si Salahudin Ejubi e të tjerë.Kushdo që studion historinë
e myslimanëve dhe të Islamit, do të kuptojë se shpresa për triumfin e myslimanëve lidhet drejtpërdrejt edhe me kontributin e grave.
Kushdo që studion historinë e Ymetit islam, do të gjejë një rol dhe kontribut shumë të madh të grave. Prandaj ne duhet të ndërgjegjësohemi për faktin se Islami e ka nderuar dhe fisnikëruar gruan. Ne duhet të kemi parasysh faktin që personi i parë që ra në sexhde pas muhamedit a.s., ishte një grua. E para që besoi pas të dërguarit të Zotit, ishte një grua. E para që filloi kryerjen e obligimeve pas të Dërguarit të Zotit, ishte një grua. E para që u përgëzua me Xhenet nga Ymeti i Muhamedit a.s., ishte një grua. Dëshmorja e parë nga ashabët që vdiq në kontributin islam, ishte një
grua.

Meritat dhe respekti ndaj nënave besimtare

Nëse duam që grave dhe myslimaneve të sotme t`u ofrojmë modelin dhe shembullin më të mirë për të ndjekur, këtë model e kanë tek gratë e Pejgamberit a.s. dhe tek gratë e ashabëve.
Arsyeja se pse do t`i marrim si model gratë e Pejgamberit a.s., është se kështu do të mund të depërtojmë thellë në jetën familjare të Pejgamberit a.s.. Nëse dëshirojmë të studiojmë në detaje jetën e Pejgamberit a.s., duhet ta studiojmë edhe jetën e grave të tij. Kjo, sepse në jetën e Pejgamberit a.s. nuk kishte sekrete. Mund të themi se të gjitha personalitetet e njohura në histori, madje secili prej nesh, çështjet familjare përpiqet t`i mbajë të mbyllura dhe larg syve të botës. Kjo nuk kishte ndodhur me të Dërguarin e Allahut. Besimtarët, pothuajse dinë gjithçka rreth jetës së tij familjare. Vetëm kështu ai mund të ishte dhe të jetë modeli më i mirë për t`u ndjekur dhe për t`u pasuar. Lidhur me këtë, Allahu xh.sh. në Kur’an ka thënë(Shih: El Ahzab, 21).
Ne dimë për Pejgamberin a.s. se si lahej, si i trajtonte gratë kur dilte bashkë me to, si i trajtonte brenda në shtëpi, si ulej me to, si diskutonte, çfarë u thoshte, si flinte etj.. Duke qenë se Ymeti Islam është ymeti përmbyllës i mesazheve të Zotit mbi Tokë, ata duhej të dinin gjithçka mbi Profetin a.s., me qëllim që të pasonin rrugën dhe traditën e tij. Nëse dëshiron që lumturinë bashkëshortore ta bësh të mëshiruar dhe si diçka që mund të bëhet realitet, mësoje jetën e Muhamedit a.s. me bashkëshortet e tij. Nuk ka shtëpi dhe çift bashkëshortor që të kenë dashuri dhe respekt për njëri – tjetrin, siç kishte në mes të Dërguarit të Zotit dhe Hatixhes r.a.. Jo rastësisht gratë e Pejgamberit a.s. janë quajtur “nënat e besimtarëve”, sepse ato meritojnë një epitet të tillë. këtë epitet atyre ua ka dhënë vetë Allahu xh.sh. në Kur’an, kur ka thënë: (Shih: El Ahzabë, 6).
Xhuvejria, gruaja e Pejgamberit a.s., tregon se Pejgamberi a.s. kishte hyrë tek ajo dhe i kishte thënë: “A ka ushqim”?- Xhuvejria i qe përgjigjur: “Jo, pasha Allahun, o i Dërguar i Allahut, nuk kemi aspak ushqim, përveçse një copë ashti të deles”. Allahu xh.sh. e kishte këshilluar Muhamedin a.s. që bashkëshortet e tij të bënin zgjedhje në mes qëndrimit tek ai dhe bukurive të kësaj bote, sepse misioni profetik kërkon durimin e barrës dhe vështirësive, të cilat nuk mund t’i bartnin të gjithë njerëzit, kurse ato që kishin mbetur të kënaqur dhe kishin zgjedhur shtëpinë e Pejgamberit a.s., për jetën e tyre, ato e kishin të qartë plotësisht se një nder i tillë nuk u takon atyre që kërkojnë lavdinë, krenarinë e kësaj bote dhe shkëlqimin e bukurisë së kësaj bote. Lidhur me këtë, Allahu xh.sh. në Kur’an ka thënë: (Shih:El Ahzabë, 28). Për gratë e Pejgamberit a.s. nuk kishte mbetur përveçse të zgjidhnin të Dërguarin dhe jetën e Botës tjetër, e t’u thoshin lamtumirë kënaqësive të kësaj bote. Rukija, vajza e Pejgamberit a.s., nuk është vajzë e panjohur. Ajo ishte vajza e njeriut më të mirë në sipërfaqen e Tokës, sepse ishte vajzë e shtëpisë së Pejgamberit a.s.. Ajo nuk ishte bashkëshorte që lakmonte dëfrimin dhe jetën luksoze, përkundrazi ajo zgjodhi barrën e rëndë, që do të thoshte largimin nga shtëpia. Rukija zgjodhi largimin nga vendlindja së bashku me bashkëshortin e saj, duke dashur të ruante fenë e Allahut. Ajo, duke sakrifikuar për Islamin, do të shpërngulej në Abisini, në vendin që nuk e njihte fare, nuk njihte as gjuhën e as vendin, në vendin ku nuk do
të kishte as shoqe e as ndihmës përveç Allahut xh.sh..5

Interesimin dhe përgatitjen fetare

Sipas burimeve dhe literaturës islame, Uthmani r.a. nuk mori pjesë në luftën e Bedrit për shkak të bashkëshortes Rukije, e cila ishte e sëmurë. Halifi i tretë, Uthmani r.a., tregon përse nuk kishte marrë pjesë në luftën e Bedrit: “ Nuk mora pjesë, sepse isha duke u kujdesur për shërimin e Rukijes, bijës së Pejgamberit a.s., e cila edhe vdiq nga sëmundja e saj. I Dërguari i Allahut ma bëri me shenjë me shigjetën e tij, e atij që ai i binte me shigjetë, kjo dëshmonte se ka dëshmuar luftën e Bedrit”.6
Kujdesi ndaj Rukijes e ngriti Uthmanin në këtë gradë, e bëri nga ata që kanë dëshmuar Bedrin. E tërë kjo u bë vetëm për hir të meritës që kishte ajo grua e ndershme, dhe pozitës së lartë që kishte ajo. Aishja r.a. ishte një grua që u dallua më shumë për shpenzimet dhe dhënien e sadakasë. Abdullah ibn Zubejri krahason mirësinë e Aishes dhe të Esmës dhe thotë: “Nuk kam parë gra më dorëdhënëse se Aishja dhe Esma, bujaria e tyre ishte e ndryshme. Aishja ishte që i mblidhte gjërat një mbi një, e pastaj, kur i tubonte, i vinte në vendin e tyre (i jepte sadaka), ndërsa Esma nuk linte asgjë të mblidhej në duart e saj e të mbetej për nesër”.7 Edhe Zejnebe Bint Xhahshi, nëna e besimtarëve, ishte e shquar për nga bujaria dhe shpenzimi i madh. Këtë e dëshmon Pejgamberi a.s. që Zejneben e quante “nëna e të mjerëve”.8
Se sa të respektuara ishin gratë në kohën e Pejgamberit a.s. dhe të ashabëve dhe sa të arsimuara ishin ato, tregon edhe rasti i një gruaje, e cila ia kishte ndërprerë fjalën Umerit r.a. derisa ai po fliste në mimber. Umeri r.a. ishte duke trajtuar temën e dhuratës martesore (mehrin)- vlerën dhe sasinë e tij. Kjo grua ndërhyri dhe e korrigjoi Umerin r.a. për sasinë e mehrit. Umeri r.a. reflektoi pozitivisht duke thënë: “Po, ia qëlloi kjo grua dhe gaboi Umeri”.9
Edhe pse Sujutiu e kishte renditur tek tregimet e sakta, ky rast nuk është shumë i njohur. Qëllimi i këtij tregimi është më tepër për të treguar guximin që kishte kjo grua për t’i ndërhyrë prijësit të besimtarëve. Po ky rast tregon edhe interesimin dhe përgatitjen fetare që kishin në këtë periudhë gratë besimtare. Mund të themi se edhe në mexhliset tona, shpeshherë flitet për filan gruan, e cila ka thënë ka bërë këtë e atë, në kontekstin e shprehjes së çudisë se si një grua mund të veprojë gjëra të tilla. Vetë gratë nuk i kanë shpëtuar një opinioni të tillë, pasi ato janë pjellë dhe produkt i kulturës shoqërore dhe ndikohen nga mjedisi që i rrethon.
Zërat kundërshtues rreth kësaj çështjeje janë pothuaj të pakta, duke përjashtuar thirrjet dhe zërat për barazinë absolute në mes dy gjinive si dhe teoricienët e OKB-së për të drejtat e gruas.
Traktati i OKB-së për të drejtat e gruas, është një traktat i mbështetur mbi një filozofi specifike për shoqërinë perëndimore. këtu duhet të themi se nuk merren në konsideratë kulturat, besimet dhe traditat e popujve të tjerë, shumë prej të cilëve, sidomos prej shteteve islame, kanë shfaqur rezerva lidhur me të, siç janë Arabia Saudite, Egjipti, Malajzia etj..

1) Ahmedi 11384, Muslimi, 2631.
2) Ebu Davud, 236.
3) Buhariu, 141.
4) Buhariu, 3938.
5) Muhamed Ed-Duvejsh, Motrat Sahabije, Shtëpia Botuese “Nun”, Shkup, 2012, f.23.
6)Po aty, f.39.
7) Po aty, f. 33.
8) Po aty.
9) Selman Aude, Bijat e Mija, Shkup, 2012, f.12.

Dr. Fahrush Rexhepi
Dituriaislame 272