Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Koreja e Jugut thirrje qytetarëve të saj të largohen nga Lindja e...

Koreja e Jugut thirrje qytetarëve të saj të largohen nga Lindja e Mesme mes armiqësive SHBA-Iran

Koreja e Jugut u ka kërkuar qytetarëve të saj të largohen nga Lindja e Mesme në mes të përshkallëzimit të armiqësive midis SHBA-së dhe Iranit, transmeton Anadolu.

Paralajmërimi u lëshua nga Ministria e Jashtme pasi mbajti një takim me zyrtarë nga 17 misione diplomatike, përfshirë ambasadat në Iran dhe Izrael të dielën për të shqyrtuar masat e sigurisë për shtetasit dhe anijet e Koresë së Jugut në rajon, raportoi Yonhap News me bazë në Seul.

“Duke patur parasysh se shumica e vendeve të Lindjes së Mesme kanë qenë nën një Këshillim Udhëtimi të Nivelit 3, i cili rekomandon që udhëtarët të largohen nëse nuk është e nevojshme, që nga marsi, vizitorët afatshkurtër këshillohen të largohen menjëherë nëse nuk kanë arsye bindëse për të qëndruar”, tha zëvendësministri i dytë i Jashtëm, Kim Jina.

Ai bëri thirrje për vigjilencë të shtuar për të garantuar sigurinë e anijeve koreane që operojnë në Detin e Kuq mes tensioneve të fundit ushtarake që përfshijnë Huthit e Jemenit dhe Arabinë Saudite.

India këshilloi qytetarët e saj që të shtyjnë të gjitha udhëtimet në Iran derisa të përmirësohet situata e sigurisë. Një këshillë e re nga Ambasada e Indisë në Iran u kërkoi qytetarëve “të konsiderojnë daljen e përkohshme nga Irani, duke përdorur opsionet e disponueshme të fluturimit”.

Ndërkohë, ambasada indiane në Jordani u kërkoi shtetasve të saj të tregohen të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.

SHBA-ja dhe Irani nënshkruan memorandum mirëkuptimi të ndërmjetësuar nga Pakistani muajin e kaluar për t’i dhënë fund konfliktit të tyre dhe për të arritur marrëveshje të qëndrueshme paqeje, por tensionet u përshkallëzuan përsëri javën e kaluar mbi Ngushticën e Hormuzit, me të dyja palët që shkëmbyen sulme.