Korrupsioni s’po luftohet

Kosova ka legjislacion për ta luftuar korrupsionin, por ky fenomen negativ nuk po luftohet pasi që nuk po zbatohet në praktikë.

Në anën tjetër, në afera korruptive janë të përfshirë dhe zyrtarë të lartë të shtetit ndaj të cilëve Agjencia Kundër Korrupsionit ka bërë të ditur të premten se ka dorëzuar në gjykata mbi 17 raste të “Korrupsionit”.
Në kuadër të debatit me studentë rreth dukurisë së korrupsionit, organizuar nga Zyra e BE-së në Kosovë, studentëve u është bërë thirrje të aktivizohen kundër korrupsionit dhe të mos pranojnë të jenë pjesë e kësaj dukurie as tani si studentë, as në të ardhmen si profesionalë.

Nuk parandalohet korrupsioni

Edis Agani, nga Zyra e BE-së, ka thënë në këtë konferencë se edhe Raporti i Progresit për Kosovën konstaton që struktura ligjore dhe institucionale është në rregull deri diku në Kosovë dhe i përshtatet standardeve ndërkombëtare, mirëpo, sipas saj, çalohet në rastet konkrete. “Çalojmë së pari në parandalim të korrupsionit si shoqëri në përgjithësi dhe në luftë kundër korrupsionit dhe kjo pastaj drejtpërdrejt është përkthyer edhe në kushte për liberalizim të vizave. Një ndër kushtet kryesore është që Qeveria të dëshmojë konkretisht me numër të rasteve që janë dënuar për ‘Korrupsion’”, ka thënë Agani.

Shaip Havolli, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), ka thënë se është e vërtetë që Kosova ballafaqohet me korrupsion në nivele të ndryshme. Havolli ka pranuar po ashtu që ka korrupsion mjaft të lartë në shëndetësi. Ndonëse ka pranuar se që nga paslufta janë krijuar shumë mekanizma antikorrupsion, Havolli ka theksuar se këta mekanizma deri diku kanë kryer punën e vet, por nuk kanë arritur të jenë shumë efikas. “Kohët e fundit më 2015-n dhe 2016-n ka një progres që duhet t’i gëzohemi sa i përket luftës kundërkorrupsionit. Ka disa aktakuza të ngritura, janë mbi 17 aktakuza të ashtuquajtura profileve të larta që kanë kaluar në gjykatë. Presim nga gjykata të sjellë vendime të merituara dhe jo vendime sa për të thënë vendime”, ka thënë Havolli në konferencë.