Kosova e Shqipëria nënshkruajnë 12 marrëveshjet e bashkëpunimit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama kanë nënshkruar 12 marrëveshjet e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Në mesin e marrëveshjeve, janë nënshkruar edhe dy memorandume, të cilat i ka nënshkruar Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm i Shqipërisë, dhe Behgjet Pacolli, ministër i Jashtëm i Kosovës, raporton Indeksonline.

Më poshtë gjeni marrëveshjet që janë nënshkruar nga të dy palët:

-Memorandum e mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e politikës se jashtme.

-Memorandum bashkëpunimi midis zyrës se kryeministrit të Shqipërisë dhe zyrës se kryeministrit të Kosovës për shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin për zbatimin e rregullimit më të mirë, vlerësimin e ndikimit dhe përmirësimin e praktikave të zhvillimit të politikave.

Ky memorandum nënshkruhet nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj dhe ministrja e Drejtësisë, Etlida Gjonaj.

-Memorandum për bashkëpunimin në fushën e politikës së jashtme dhe marrëveshjen e bashkëpunimit në kuadër të bashkëpunimit në anëtarësimin evropian.

Memorandumi dhe marrëveshja nënshkruhet nga ministri Ditmir Bushati dhe ministrja Dhurata Hoxha.

-Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e diasporës.

Marrëveshja nënshkruhet nga ministri Dardan Gashi dhe ministri Pandeli Majko.

-Marrëveshje bashkëpunimi për qendrat kulturore në Diasporë.

Edhe kjo marrëveshje nënshkruhet nga ministrat Gashi e Majko..

-Marrëveshje për vërtetimin e periudhave të sigurimit për realizimin e të drejtës në pension. Kjo marrëveshje nënshkruhet nga ministri Skënder Reçica dhe ministri Arben Ahmetaj.

-Memorandumin e mirëkuptimit ndërmjet Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e ndërmarrjeve në Kosovë-KIESA dhe Agjencisë Shqiptarë të zhvillimit të Investimeve-AIDA.

Ky memorandum nënshkruhet nga ministri Bajram Hasani dhe ministri Arben Ahmetaj.

-Marrëveshje për financimin dhe organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në Diasporë.

Marrëveshja nënshkruhet nga ministrja Lindita Nikolla dhe ministri Dardan Gashi.

-Memorandum bashkëpunimi mes MKRS-së dhe ministrisë së Kulturës të Shqipërisë.

Memorandumi nënshkruhet nga ministrat përkatës.

-Protokoll për bashkëpunim teknik dhe ekonomik në fushën e bujqësisë për njohjen bilaterale të certifikatave veterinare dhe produkteve me origjinë shtazore dhe jo shtazore.

Kjo marrëveshje nënshkruhet nga zv/ministri i Bujqësisë, Vesel Krasniqi dhe ministri I Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural,Niko Peleshi.

-Memorandum mirëkuptimi për themelimin e bursës së përbashkët të energjisë elektrike të Kosovës dhe Shqipërisë.

Memorandumi nënshkruhet nga ministri Valdrin Lluka dhe zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli.