Kosova nuk i kishte votat për UNESCO

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli fillimisht deklaroi se Kosova i ka votat për anëtarësim në UNESCO. Më vonë shteti i Kosovës njofton se ka hequr dorë dhe nuk do të del në votë për ta provuar mundësin e anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, duke mos dhënë shumë detaje për arsyen e tërheqjes.

Por, profesor i Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, konsideron se Kosova nuk i kishte votat për anëtarësim në UNESCO, dhe kjo ka qenë arsyeja që është tërhequr.

Hoti thotë për lajmi.net se Kosova nuk ka lobuar mjaftueshëm për t’i bindur shtetet që të votojnë pro anëtarësimit. Por ai mendon se edhe ngërçi në politikën kosovare ka bërë që të dështoj anëtarësimi i Kosovës në UNESCO.

“Arsyeja e tërheqjes është fund e krye për shkak të pasigurisë së votave, sepse nuk është çështja vetëm e palikimit, në UNESCO e kemi pak më mirë, dhe një numër të organizatave që janë të specializuara dhe nuk kërkojnë domosdoshmërisht me qenë anëtare të OKB-së. Ne duhet të lobojmë të sigurojmë votat e mjaftueshme në mënyrë që të bëhet aplikimi dhe të merret anëtarësia. Unë nuk kam asnjë dilemë që ka qenë mungesë e numrave dhe kjo ka ardhur si rezultat i ngërçit apo e këtyre mos marrëveshjeve pas zgjedhore”.

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare mendon se Kosova do të duhej t’i shfrytëzonte edhe shtetet mike që të anëtarësohej.

“Nuk kanë ndryshuar pozicionet e shteteve që nuk na kanë votuar herën e kaluar, por ato pozicione kanë qenë të pamjaftueshme, e ne është dashur të shkojmë t’i bindim ato shtete që s’na kanë votuar. Të paktën është dashur t’i bindim ato shtete që na kanë njohur e s’na kanë votuar, të bëhet një lobim disa mujor, dhe duke i koordinuar veprimet me shtetet e fuqishme. Aty nuk arrin dora jonë, duhet të shfrytëzohet dora e mikut. Nëse kemi problem me ndonjë shtet në Afrikë, e kemi Francën, dhe duke i shfrytëzuar miqtë me prit anëtarësimin”, ka thënë Hoti për lajmi.net.

Lajmi.net ka provuar të kontaktojë edhe me shefin e politikës së jashtme, Behgjet Pacolli, por ai ka qenë i paqasshëm.

Ndryshe shteti serb ka bërë fushatë të egër kundër Kosovës që të mos votohet si anëtarja më e re në UNESCO.

Kujtojmë se vitin e kaluar Kosova dështoi të bëhej pjesë e UNESCO-së.