Kosova pranon donacion 211 koncentratorë të oksigjenit nga OBSH

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka pranuar sot një donacion nga Organizata Botërore e Shëndetësisë me 211 oksigjeno-koncentratorë për përmirësimin e shërbimeve mjekësore për pacientët e infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e pranimit të 211 aparaturave ka marrë pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili tha se falë punës së koordinimit të mirë të institucioneve të vendit, Kosova po shpërblehet me donacione nga e gjithë bota.

“Sot po pranojmë donacionin e radhës i cili edhe për nga forma, edhe për nga cilësia dhe sasia na ndihmon shumë në betejën tonë, apo përmirësimin e shërbimeve dhe të dhënien e shërbimeve shëndetësore në luftën kundër pademisë COVID-19”, tha Zemaj.

Përfaqësuesi i OBSH-së në Kosovë, Sergy Koryak, përgëzoi punën e stafit shëndetësor në spitalet e Kosovës, teksa bëri thirrje që të respektohen masat në parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Është shumë me rëndësi të ndiqen rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë, ngase kjo epidemi është mjaft serioze. Shikoni se numri i rasteve të vdekjeve është shumë i lartë dhe pa zbatimin e masave mbrojtëse në një situatë të tillë ku s’ka ilaç, dhe s’ka ende vaksinë, mbështetjen duhet ta kemi vetëm në masat parandaluese”, tha Koryak.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit në SHSKUK, Valton Krasniqi, tha se ky kontingjent është shumë i çmuar ndërsa ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit të autoriteteve kosovare me OBSH-në.

Ai tha se menjëherë ka filluar ndarja e aparaturave nga 30 koncentratorë në pesë spitale të përgjitshme, përfshirë: Gjilanin, Ferizajn, Prizrenin, Gjakovën dhe Pejën. Siç tha Krasniqi, 20 të tillë janë dërguar në Vushtrri, 10 në Mitrovicë dhe 30 janë mbajtur për rastet ku do të paraqitet nevoja.

“Këta koncentratorë të oksigjenit do të zvogëlojnë nevojën e prezencës së bonbolave të oksigjenit në dhomat e pacientëve. Punojnë me rrymë dhe janë lehtë të përdorshëm. Kanë kapacitet prej 5 deri në 8 litra oksigjen në minutë dhe do të përdoren për pacientët që janë në gjendje më të lehtë. Megjithatë, në mënyrë që ne mos të kemi nevojë për aparatura të tilla, atëherë ne si qytetarë duhet ta ndihmojmë vetveten dhe e ndihmojmë duke respektuar masat e rekomanduara tash e disa muaj”, tha Krasniqi.

Kosova më herët kishte pranuar edhe 27 koncentratorë të tillë nga OBSH-ja si dhe ndihma të tjera që nga përhapja e pandemisë.

Në Kosovë nga autoritetet vendore deri më dje është konsideruar i lartë numri i të vdekurve nga koronavirusi, megjithëse dje ky numër ra në 4 të vdekur në 24 orët e fundit ndërsa numri total i të vdekurve ka shkuar në 492. Numri i përgjithshëm i të infektuarve deri më tani është 12.840 ndërsa nga COVID-19 deri më tani janë shëruar gjithsej 8.942 pacientë.