Ballina Sport Futboll Kosova sonte luan ndeshjen më të rëndësishme deri tani

Kosova sonte luan ndeshjen më të rëndësishme deri tani

Kombëtarja e Kosovës në futboll sonte zhvillon ndeshjen më të rëndësishme në historinë e saj, përballë Turqisë, në finalen e madhe të “play-off”-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

“Dardanët” zbresin në stadiumin ikonik “Fadil Vokrri” me një mision të qartë: fitoren që i dërgon për herë të parë në një Botëror.

Vetëm 90 minuta e ndajnë Kosovën nga një arritje historike në garën më të madhe të futbollit, e cila këtë verë do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Atmosfera në vend, në prag të kësaj sfide, është mjaft entuziaste. Nga kryeqyteti e deri në çdo qytet tjetër, në kafiteri, rrugë e ambiente publike, vëmendja është përqendruar te kjo përballje vendimtare.

Brenda kampit të Kombëtares sonë mbizotëron optimizëm i madh.

Futbollistët janë maksimalisht të përgatitur dhe të motivuar për të dhënë gjithçka në fushë, me synimin për të siguruar biletën historike për Botëror.

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, në konferencën para ndeshjes, vlerësoi kundërshtarin, por theksoi besimin te skuadra e tij.

“Turqia është një ekip shumë i fortë, me cilësi të lartë individuale si Yildiz, Güler dhe Çalhanoğlu. Por edhe ne kemi treguar vlerat tona. Jemi këtu me meritë dhe besoj se gjasat janë 50 me 50. Do të japim maksimumin për të fituar”, u shpreh Foda.

Ndeshja Kosovë–Turqi zhvillohet sonte, me fillim nga ora 20:45 dhe transmetohet drejtpërdrejt në RTK.