KQZ: 7.84% pjesëmarrje deri në Orën 11:00 – proces i qetë dhe i rregullt

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka paraqitur të dhënat e përditësuara mbi pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale deri në orën 11.

Nga 2,025,105 qytetarë me të drejtë vote, 159,192 persona ose 7,84% kanë shfyrtëzuar të drejtën e votës deri në orën 11:00.

Komunat me pjesëmarrjen më të lartë deri tani janë komuna e Mamushës me 21,51%, e ndjekur më pasë nga komuna e Zveçanit me 20,49% dhe ajo e Ranillugës me 19,45%.

Nga komunat me shumicë shqiptare, janë Novobërda 17,16% dhe Kllokoti 15,56%.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se deri në orën 11:00, procesi zgjedhor është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe të rregullt.

Radoniqi ka theksuar se deri tani nuk është raportuar asnjë parregullsi që do të cenonte integritetin e procesit zgjedhor.

“Procesi i votimit, deri në këtë fazë, po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të rregullt. Deri tani, nuk janë raportuar parregullsi që do të mund të cenonin integritetin dhe mbarëvajtjen e përgjithshme të procesit zgjedhor”, ka deklaruar ai.

Procesi zgjedhor po zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,571 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 54 vendvotime, për të mundësuar votimin me kusht.

Sipas Listës së Votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar në Republikën e Kosovës është 2,025,105, të cilët janë të shpërndarë në 38 komuna.