KQZ konfirmon largimin e anëtarëve të Listës Serbe nga komisionet komunale zgjedhore

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, e ka konfirmuar për TËVË 1 se anëtarët e KKZ-së në katër komunat veriore, përfaqësues të Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje.

Të njëjtit, janë emëruar më parë nga KQZ-ja.

“Mund t’ua konfirmoj se kemi pranuar dorëheqjet nga katër anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve për komunat Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, të cilët janë emëruar më parë nga KQZ si përfaqësues të subjektit politik Lista Serbe. Në mbledhjet e kaluara, KQZ ka funksionalizuar Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, duke caktuar 4 Zyrtarët Ekzekutiv, të cilët njëkohësisht janë kryesues të KKZ-së si dhe ka marrë vendim për emërimin e 27 anëtarëve, të cilët përfaqësojnë subjektet politike parlamentare. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KKZ administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen ekskluzive dhe udhëzimet e KQZ-së”, tha Elezi.

Veprimi i tyre vije një ditë pasi kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek tha se kjo parti është kundër votimit të 21 prillit për largimin e mundshëm të kryetarëve shqiptarë nga udhëheqja me komunat veriore.

Për shkarkimin e kryetarëve duhet të votojnë 50+1 përqind e qytetarëve më të drejtë vote.