Kryetari i Këshillit Sovran të Tranzicionit të Sudanit, Abdel Fattah al-Burhan u zotua për fitore në luftën kundër Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), duke theksuar se dera për pajtim kombëtar mbetet e hapur, transmeton Anadolu.
“I sigurojmë popullit tonë kudo që fitorja po vjen dhe se fitorja do t’i përkasë popullit sudanez”, tha Burhan në një fjalim me rastin e 70-vjetorit të pavarësisë së Sudanit, cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve SUNA.
“Po ashtu konfirmojmë se dera për pajtim kombëtar mbetet e hapur”, shtoi ai.
Burhan tha se lufta ka bashkuar popullin sudanez dhe ka forcuar vendosmërinë kombëtare, duke i siguruar banorët e rajoneve Darfur dhe Kordofan se fitorja po afrohet.
Ai lavdëroi forcat politike që qëndrojnë përkrah ushtrisë, duke theksuar se dera e pajtimit kombëtar mbetet e hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të bashkohen.
Sudani është përfshirë nga një konflikt i ashpër mes ushtrisë dhe RSF-së që nga prilli i vitit 2023, konflikt që ka shkaktuar vdekjen e mijëra personave dhe zhvendosjen e miliona të tjerëve.
Tri shtetet e Kordofanit, Kordofani Verior, Perëndimor dhe Jugor, kanë përjetuar javë të tëra përleshjesh të ashpra mes ushtrisë dhe RSF-së, duke detyruar dhjetëra mijëra persona të largohen.
Nga 18 shtetet e Sudanit, RSF-ja kontrollon të gjitha pesë shtetet e rajonit Darfur në perëndim, përveç disa pjesëve veriore të Darfurit Verior që mbeten nën kontrollin e ushtrisë. Nga ana tjetër, ushtria mban shumicën e zonave në 13 shtetet e mbetura në jug, veri, lindje dhe qendër, përfshirë edhe kryeqytetin Khartum.








