Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç dhe drejtori i ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, biseduan sot në Beograd me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë, Peter Sorensen, rreth vazhdimit të dialogut dhe situatës në Kosovë, raporton Anadolu.
Gjuriq tha se gjatë takimit ai theksoi rolin konstruktiv të Beogradit në dialog, nevojën për angazhim më të fortë ndërkombëtar dhe detyrimin për të respektuar të drejtat dhe sigurinë e serbëve në Kosovë. Ai shtoi se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe (AKS) dhe përmbushja e të gjitha detyrimeve të dakorduara më parë janë parakushte kyçe për ripërtëritjen e dialogut kuptimplotë dhe stabilitetin afatgjatë.
Petkoviq tha se për çdo përparim të prekshëm në dialog, është e nevojshme të fillojnë hapa konkretë drejt formimit të AKS-së dhe diskutime të hapura mbi draftin e statutit të saj. Ai paralajmëroi se shtyrja e zbatimit të disa vendimeve të Prishtinës nuk duhet të jetë arritja e fundit e bashkësisë ndërkombëtare, por mundësi për të arritur zgjidhje të qëndrueshme me respekt të plotë për marrëveshjet e arritura, veçanërisht ato që lidhen me lirinë e lëvizjes.
Sipas një deklarate nga e ashtuquajtura Zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petkoviq tha se “Prishtina vazhdon me lëvizje të njëanshme që e përkeqësojnë më tej situatën” dhe paralajmëroi për një “rritje të incidenteve me motive etnike” që nga fillimi i vitit.
Ai theksoi se sistemi shëndetësor dhe arsimor janë thelbësore për mbijetesën e serbëve në Kosovë dhe se ato përfaqësojnë themelin e AKS-së. Petkoviq i bëri thirrje BE-së të ndërmarrë hapa konkretë drejt formimit urgjent të AKS-së, duke theksuar se Beogradi pret angazhim më aktiv të BE-së në këtë proces.
Sorensen vizitoi Prishtinën të enjten ku bisedoi me zyrtarët e Kosovës.
Gjatë vitit 2025, u zhvilluan disa raunde negociatash në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë.


