Kryeministri Haradinaj sot takohet me Kancelaren Merkel

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel, do të takohen sot në Berlin, ku temë qendrore e këtij takimi pritet të jetë dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas njohësve të çështjeve politike, temë e këtij takimi do të jetë edhe taksa prej 100 për-qind e vendosur ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Herzegovina, transmeton Klan Kosova.

Në llogarinë e tij të Facebook-ut, Haradinaj ka bërë të ditur se gjatë vizitës në Berlin do të merr pjesë edhe në lutjen e mëngjesit.

“Sot do të udhëtoj në Berlin për një vizitë një ditore gjatë të cilës do të takoj Kancelaren Angela Merkel, Kryetarin e Bundestagut Wolfgang Schauble, deputetë të të gjitha grupeve parlamentare në Bundestag, do të marrë pjesë në konferencën ‘Takimet ndërkombëtare’ dhe do të jem pjesë e lutjeve të mëngjesit në Berlin”.

Haradinaj ka shtuar se kjo vizitë ka për qëllim ruajtjen dhe zhvillimin e raporteve me Gjermani, duke e konsideruar si shtet shumë të rëndësishëm për qëllimet dhe të ardhmen europiane të Kosovës.

“Kjo vizitë pune do të ketë për qëllim thellimin e marrëdhënieve dhe besimit në mes të Kosovës dhe Gjermanisë si partnere strategjike”.

“Bashkëpunimi i bazuar në besim është i domosdoshëm në rrugëtimin e Kosovës për zhvillim ekonomik, integrime europiane dhe në fushën e sigurisë. Gjermania vazhdon të jetë një ndër partnerët kryesorë të Kosovës dhe përkrahja e tyre është jetike në arritjen e objektivave tona të përbashkëta”.