Kryeministri i Grenlandës: Retorika amerikane për ishullin e papranueshme

Kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen

Kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen e quajti retorikën e fundit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në lidhje me nevojën për Grenlandën “krejtësisht të papranueshme” dhe “të pa respekt”, transmeton Anadolu.

“Retorika aktuale dhe e përsëritur nga SHBA-ja është plotësisht e papranueshme. Kur presidenti i SHBA-së flet për ‘nevojën për Grenlandën’ dhe na lidh me Venezuelën dhe ndërhyrjen ushtarake, kjo nuk është thjesht e gabuar. Është mungesë respekti”, tha Nielsen në rrjetet sociale.

Duke thënë se ata janë pjesë e NATO-s dhe të vetëdijshëm për vendndodhjen e tyre strategjike, ai përsëriti rëndësinë e një “marrëdhënieje respektuese dhe besnike” me Washingtonin.

“Vendi ynë nuk është objekt në retorikën e fuqive të mëdha. Ne jemi një popull. Një vend. Një demokraci. Kjo duhet të respektohet, veçanërisht nga miqtë e ngushtë dhe besnikë”, tha Nielsen dhe shtoi: “Mjaft më. Mjaft më presion. Mjaft më insinuata. Mjaft më fantazi për aneksim”.

Ai theksoi se ata janë të hapur për dialog që do të bëhet përmes “kanaleve të duhura dhe në respekt të së drejtës ndërkombëtare”.

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen i kërkoi SHBA-së në një deklaratë të “ndalojë kërcënimet” kundër një “aleati historikisht të ngushtë” dhe kundër një vendi tjetër dhe një populli tjetër “që e kanë bërë shumë të qartë se nuk janë në shitje”.

“Nuk ka absolutisht asnjë kuptim të flasim për nevojën që SHBA-ja të marrë Grenlandën. SHBA-ja nuk ka bazë ligjore për të aneksuar një nga tre vendet e Mbretërisë (Danimarka, Grenlanda dhe Ishujt Faroe)”, tha Frederiksen.