Kryeprokurori i Speciales paralajmëron “të tjerët”: Do të përballeni me drejtësinë nëse tentoni të frikësoni

Zyra e Prokurorit të Specializuar të Hagës ka lëshuar deklaratë pas dënimit të Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit nga Gjykata Speciale.

Në një deklaratë lëshuar nga kryeprokurori, Jack Smith, thuhet se ky i fundit është i angazhuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht e me vigjilencë të gjitha rastet e frikësimit të dëshmitarëve, hakmarrjes apo pengimit të drejtësisë, shkruan lajmi.net.
“Sot është vendosur drejtësi. Z. Gucati dhe Z. Haradinaj janë shpallur fajtorë për krimet e tyre, pas një gjykimi transparent, të kujdesshëm dhe të drejtë të këtij rasti të rëndësishëm,” tha Prokurori i Specializuar.
“Ashtu siҫ u deklarua sot nga Trupi Gjykues, mbrojtja e dëshmitarëve nga frikësimi dhe lëndimi qëndron në themel të ҫdo sistemi të drejtësisë penale – aktet dhe sjellja e të akuzuarve iu kundërvunë pikërisht këtij themeli”, thuhet tutje në deklaratë.

Tutje, sipas Smith, aktet dhe deklaratat që janë në këtë lëndë, kanë ndodhur në një klimë frikësimi.

“Aktet dhe deklaratat në këtë lëndë kanë ndodhur në një klimë frikësimi, siҫ ishin gjetjet e gjykatësve sot,” tha më tej Smith.

Smith ka paralajmëruar edhe “të tjerët” që sipas tij tentojnë të frikësojnë dëshmitarët, se ai “do të bëj gjithçka që është në pushtetin e tij që të sigurohet që ata të dalin para drejtësisë”.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar do të vazhdojë fuqishëm hetimet dhe ndjekjen penale të të gjitha akteve të frikësimit të dëshmitarëve, hakmarrjes ndaj dëshmitarëve ose pengimit të drejtësisë. Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë mundësinë unike që të japin drejtësi për viktimat sepse ato janë një vend i sigurt ku dëshmitarët mund të flasin hapur për krimet që kanë parë dhe pësuar përpara më shumë se 20 viteve. Frikësimi apo hakmarrja ndaj këtyre viktimave është, sipas mendimit tim, krim shumë i rëndë që godet në zemër aftësinë e këtij institucioni për të dhënë drejtësi dhe sundimin e ligjit. Nëse përpiqeni të frikësoni apo të hakmerreni ndaj dëshmitarëve të kësaj gjykate, unë do të bëj gjithҫka që është në pushtetin tim dhe të sigurohem që ju të dilni përpara drejtësisë”, thuhet në deklaratën e Smith.

Ndryshe, Nasim Haradinaj e Hysni Gucati janë dënuar sot me katër vite e gjysmë burg për vepra penale që kanë të bëjnë me administrimin e drejtësisë.