Kryetarja e Komisionit Evropian takon Vuçiqin, kërkon zgjidhje për situatën në veri të Kosovës

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen është duke vazhduar vizitën e saj në Ballkanin Perëndimor.

Pas vizitës në Shqipëri dhe Kosovës, der Leyen sot është duke qëndruar për vizitë në Serbi.

Kryetarja e KE-së ka takuar sot presidentin serb Aleksandar Vuçiq me të cilin kanë diskutuar edhe për situatën aktuale në veri të Kosovës.

Der Leyen gjatë takimit me presidentin serb, ka kërkuar që të gjejnë një zgjidhje për situatën aktuale me Kosovën.

“Unë i vlerësoj hapat e ndërmarrë deri më tani në reformat dhe sundimin e ligjit. E rëndësishme për të përparuar më tej në mënyrë që Serbia të mund të anëtarësohet në BE. Gjithashtu është vendimtare për të përdorur dialogun e lehtësuar nga BE për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën aktuale me Kosovën. Bashkëpunimi është e vetmja rrugë përpara”, ka shkruar Ursula von der Leyen në Twitter.

Ndryshe dje gjatë vizitës në Kosovë, kryetarja e Komisionit Evropian tha se ndjehet e shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, dhe se dialogu është rruga e vetme për të gjetur një zgjidhje.