Kthesat historike të shqiptarëve në dy shekujt e fundit

Prof. Driton Arifi

Ende pa u mbushur një shekull nga lindja e shtetit të parë shqiptar, përcaktimet hyjnore të Zotit Fuqiplotë, kishin fshehur për kombin tonë sihariqin e lindjes së dytë, po aq të vështirë sa edhe e para – mëvetësinë e shtetit të Kosovës. Dy shtete shqiptare të formuara në truallin e kthesave historike, për këdo ishin thjesht një ëndërr, e cila nuk imagjinohej se një ditë do të mund të bëhej realitet.

Dy fillimshekujt e fundit, ishin ata që nuk na lanë të pllakosur në pengun tragjik të historisë sonë. Si njëra prej epokave më jetike të historisë sonë, ky shekull solli në jetë për ne dy dhurata gjatë kohë të aspiruara. Dy shtete shqiptare janë dhe do të mbesin “kapitali” më me vlerë që gëzojnë sot shqiptarët, ndonëse të tkurrura nga tablo ja ideale që ndoshta nga të gjithë ne ishte aspiruar.

Është anakronike, veçse, shumë popuj evropianë, tash e sa dekada flasin për të drejtat e njeriut dhe lirinë në formatin e përsosur të tyre, ndërkaq ne shqiptarët deri në fund të shekullit të kaluar u desh të flasim për lirinë në trajtën e saj më tragjike, e në kuptimin e saj më parimor – lirinë nga robëria. Edhe kur të tjerët flisnin për të drejta: më “luksoze” ne ende flisnim për të drejtën më themelore humane, atë të ekzistencës. Kjo, nëse nuk ishte një stigmë që njolloste padrejtësisht faqen e historisë sonë, doemos ishte një fakt i hidhur që nga ne duhej pranuar.

E më së paku, çfarë na duhet është se kur ne kalojmë nëpër muajt e datat e shënuara historike (nëntorët tanë të lavdishëm), e të cilat na rrëfejnë përpjekjen dhe kurorëzimin e popullit tonë me liri e pavarësi, është që ne t’i flasim me pietet vetvetes dhe brezit që po rritet, për këto arritje. Kjo, sepse disi është një garancë, që na siguron se atë që e fituam me vetëmohim të pashembullt në histori do ta ruajmë e do ta përjetësojmë për të gjithë brezat e rinj.

S’do mend se për një rikëndellje dhe rikujtim të këtyre begative edhe Zoti i Madhërishëm na porositi në një citat kur’anor e na tha: “Ndërsa për dhuntitë e Zotit tënd, ti (vazhdimisht) shprehu e fol.” (Ed Duha, 11). Mbase liria, është ajo dhuntia madhore e Zotit, çmimin e së cilës ne edhe e dimë se sa shtrenjtë e kemi paguar.

T’iu rrëfejmë atyre që fatmirësisht nuk përjetuan asgjë nga mynyra e sakrifica e epokave të vështira, se plejada e patriotëve e atdhedashësve të denjë që vunë themelet e shtetit shqiptar, janë njerëz që emrat e tyre nuk janë gjendur në memoaret e lavdishme të atdheut aksidentalisht. Ata e deshën tokën dhe truallin tonë më shumë se jetën e gjakun e tyre.

Megjithatë, përpjekja për të mirën e atdheut, nuk është thjesht një manifest politik me afat të shkurtë skadence, apo moto, vlera e së cilës na u zhbëka ditën që e kemi nxjerrë jashtë pinjollin e fundit të pushtuesit nga toka jonë. Ajo, për më tepër është një mision jetik që mban gjallë fibrën e rezistencës dhe forcon sa s’bën më shumë, gatishmërinë për të tretur aspiratat e kujtdo që synon të kthejë thundrën e pushtimit mbi truallin tonë.

Dikur, ta duash atdheun ka nënkuptuar që të jesh i gatshëm që flijohesh që ai të mbijetojë, të sakrifilcosh që ai të triumfojë: E sot, ta duash atdheun do lë thotë që të derdhësh djersën e fundit për avancimin e tij, të mos tundohesh nga lakmia e shthurur njerëzore për të përvetësuar padrejtësisht diç nga asetet e tij. E mbi të gjitha, atdhedashuri është edhe të zgjedhësh të jetosh në gjirin e tij, e të mos e braktisësh edhe atëherë kur mërgimi të premton parajsën dhe të shtrenjtën lumturi.

Mesazhe të tilla, do të përçonin edhe idealistët e atdhetarët tanë të shquar ani pse ata jetuan në epoka të ngrysura historike. I tillë ishte, Hafiz Ali Korqa që na kujtonte se: “Vullneti i përbashkët i vazhdueshëm, bashkimi vëllazëror, ideali i vërtetë kombëtar, në pak kohë shtetin e bënë lulishte diturie e trëndafilishtë qytetërimi.”
Shtetin e bëjmë lulishte diturie, më së paku duke mos e braktisur atë, e në fund edhe duke lënë lëkurën e eshtrat në dheun dhe truallin e tij.

Editorial
Dituria Islame 384

Nga: Prof. Driton Arifi