Kullat e Jasharajve, aty ku dhimbja dhe krenaria bëhen bashkë

Sami Shala

Në familjen Jashari guximi ishte e vetmja gjuhë që kuptohej menjëherë, fjalë që depërtonin drejt në zemër. Besarta Jashari është e vetmja e mbijetuar e kësaj familje nga masakra e marsit 1998. Asaj i ka rënë shpesh ta rikujtojë historinë e saj të dhimbshme, por shumë të lavdishme, për betejën titanike e triumfale të familjes së saj të lavdishme që ndryshoi për të mirë historinë dhe fatin e një populli të përvuajtur e robëruar.

Shkruan: Sami Shala, Podujevë

Ndijim i pakëndshëm dhe një eksperiencë emocionale që lidhet me dëmtime të forta. Kështu përshkruhet nocioni “dhimbje” nga “Shoqata Ndërkombëtare për Studimet mbi Dhimbjen”. Dhimbja, si një eksperiencë e keqe mund të zgjasë, madje tërë jetën. Por, janë disa dhimbje mbi bazën e të cilave më pastaj edhe mund të krenohemi me to. Të qenurit krenar është vetia e të qenurit ballëhapur dhe i respektuar. Mbi bazën e saj shpesh ndërtohet edhe dashuria që është një ndjenjë e fuqishme, e jashtëzakonshme, për një njeri a vend dhe bazohet te afria dhe dobia. E nëse duam të kuptojmë saktë se çka është dhimbja, krenaria e dashuria, duhet të drejtohemi tek kullat e Jasharajve, në Prekaz. Në këtë vend të shenjtë për shqiptarët, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, pas një lufte që zgjati tri ditë e tri net, ranë heroikisht 59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë të pavdekshmin, komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.

Në familjen Jashari guximi ishte e vetmja gjuhë që kuptohej menjëherë, fjalë që depërtonin drejt në zemër. Besarta Jashari është e vetmja e mbijetuar e kësaj familje nga masakra e marsit 1998. Asaj i ka rënë shpesh ta rikujtojë historinë e saj të dhimbshme, por shumë të lavdishme, për betejën titanike e triumfale të familjes së saj të lavdishme që ndryshoi për të mirë historinë dhe fatin e një populli të përvuajtur e robëruar. E lindur dhe e rritur në kullën e mësuesit të parë shqiptarë në atë anë (gjyshit Shaban), e ushqyer me ndjenjën kombëtare nga babai Hamëza dhe xhaxhai Adem Jashari, si fëmijë, Besarta ishte mësuar t’i shihte familjarët e saj të armatosur e të përndjekur nga pushtuesi serb. Duke qenë të mësuar me represionin e pushtetit serb mbi shqiptarët dhe veçmas mbi familjen Jashari, fatlumja e fatkeqësisë së madhe, Besarta, rikujton edhe “ninullën” e familjes së saj historike:

“Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë

vraponi burra, se s’ka me prit

të vdesim sot ne, me Besa-Besë

pranë flamurit të kuq q’u ngrit”.

Këto janë edhe fjalët e fundit që Besarta i dëgjoi nga babai i saj. Madje, mprehtësinë për të kaluar vështirësitë, Besarta, i kujton si tipare edhe të nënës së saj, Ferides. Nënë Feridja tashmë ia kishte dalë mbanë që të transmetonte siguri e guxim edhe te fëmijët. Mëngjesin e 5 marsit 1998, kur gjumin ia nxorën Besartës makineritë e pushtuesit serb, që kishin rrethuar kullën e bacit Shaban, nëna e saj, Feridja, po sillej zakonshëm, për të mos ngjallur frikë, panik e pasiguri te fëmijët.

(Besarta me motrat dhe vëllezërit e saj)

Madje, për këtë, siç rrëfen Besarta, në ditën tragjike nëna i kërkonte asaj të sjellë dru për zjarr, sikurse gjithçka është në suaza të normalitetit të jetës. Këtë siguri Besarta tregon se e gjeti edhe tek babai i saj, kur doli për të marrë drutë që i kishte kërkuar nëna. “Hamëza – babi ishte pozicionuar me armë e më thoshte se krismat nuk janë për tek ne” – tregon ajo për revistën SHENJA. Si një 10-vjeçare, në ditët e kobshme për fatin e familjarëve të saj, dhe si një nxënëse mendjemprehtë, ajo po e kuptonte realitetin dhe guximin e familjes së saj. Madje, fjalët e nënë Ferides (kur u vra Adem Jashari), se komandanti Adem Jashari nuk u vra, por “ai është i gjallë”, i shërbyen Besartës që t’i përdorte kur ra në duart e serbëve.

(Besarta me gjithë fëmijët e Jasharajve)

Pasi i vranë të gjithë Jasharajt, ishte e fundit krisma e një granate që u dëgjua. Më pas pasoi një heshtje e frikshme. Në tregimin rrëqethës, Besarta thekson se në momentin kur gjen familjarët e saj të vdekur ka qenë duke qarë. “Thirrja nanë-nanë-nanë. Sillesha rreth e rrotull gërmadhave të shtëpisë që u shkatërrua nga luftimet e granatimet. Fillimisht gjeta motrat: Selveten, Afeten, Lirin, Fatimen 8 vjeçe dhe Blerinën 6 vjeçe. I preka. U fola. Por, e kuptova që i kanë vra nuk janë gjallë. Pastaj i pashë vëllezërit: Besimin 17 vjeç dhe Blerimin 12 vjeçar. Në fund e gjeta nanën dhe gjyshen, që po ashtu i kishin vra” – pohon Besarta, që ishte e vetmja e gjallë, në mesin e gjithë familjarëve të vdekur, që u bënë fanarë të lirisë. “Pastaj, kam dëgjuar zërat e ushtarëve serbë, duke hyrë brenda në shtëpi. Kam shkuar tek dhoma ku ka qenë i vrarë bali Adem. Jam shtrirë nën magje e kam pandehë që kam vdekur. Mirëpo, ka qenë një ushtar që më ka vendosur dorën në gjoks dhe e ka kuptuar që jam gjallë. Më pastaj më kanë marrë dhe më kanë dërguar në një fushë afër shtëpive tona”, tregon tutje mes emocioneve ajo.

(Besarta me familjen e re)

Kur serbët po pyesnin për burrat e Jasharajve, ajo me vigjilencë kthen kujtimin e nënës Feride. Kështu, kur e pyesin për babanë dhe Adem Jasharin, ajo u thotë se “Ademi Jashari e Hamëza janë gjallë dhe gjenden në Gjermani”. Pas tri orëve pyetje nga serbët, ajo dërgohet tek vendi ku ishin duke i mbajtur edhe disa kushërinj të saj, të cilët po qëndronin nën qiellin e hapur të natës, duke shikuar se çfarë bënin serbet, derisa përfundimisht lihen të lirë, për të shkuar në Skenderaj, ku strehohen në dy familje. Ajo e kalon mbrëmjen aty, e traumatizuar dhe e tronditur. E kishte vështirë të flet. Besarta nuk e dinte se kufoma e nënës, babait e familjarëve të saj ishin rreshtuar nga policia në një depo materiali ndërtimor në Skenderaj. Kur askush nga familjarët nuk erdhi t’i identifikojë, serbët i hodhën në varret që i kishin hapur përballë mbeturinave të shtëpisë së tyre, në arkivole gjysmë të zbuluara. Fshatarët që mbijetuan u kthyen gjatë natës që ta kryenin punën me nder.