Kuptimi i aktualitetit si domosdoshmëri e fetarit.

Hoxhë Vladimir Kera

Nëse e vëzhgojmë me vëmendje kohën në të cilën ka zbritur Kur’ani do të vërejmë se tezat që shpaloste ky libër i shenjtë ishin alternativa më e fortë ideore, ishin rruga më e argumentuar logjike dhe praktika më e lartë konkrete e shpirtërore.
Ajo që i jep edhe më shumë kuptim këtij koncepti është fakti se vetë Zoti e ka përdorur metodën e gradualitetit në zbritjen e verseteve të Kur’anit, duke qenë situatë pas situate sqaruesi më suprem i çdo ngjarje. Dhe kështu, kjo metodikë e lartë Kur’anore mbeti si referencë për zhvillimin e mendimit dhe qytetërimit Islam. Edhe dijetarët e çdo epoke e kanë kushtëzuar që opinionet e tyre të aktualizohen me rrethanat, kohën dhe vendin, duke i dhënë kështu zgjidhje situatave sipas Kur’anit në aktualitetit shoqëror dhe jo vetëm në kohën e tyre.
Kriza më e madhe në aspektin teologjik është kur feja nuk aktualizohet. Me aktualizim nuk kemi për qëllim transformimin dhe deformimin e fesë dhe as ndryshimin e saj duke ia humbur çdo ditë e më shumë thelbin dhe boshtin. Por, me aktualizim nënkuptojmë aftësinë për të vazhduar koherencën e ruajtjes së parimeve fetare dhe duke mundësuar ripërtëritjen e kuptimeve brenda rregullave sipas kohës, vendit dhe rrethanave.
Në momentin kur humbet kjo aftësi e aktualizimit, krijohet një hendek i thellë midis jetës së përditshme dhe mundesisë së aplikimit të fesë në këtë jetë.
Fetarët përballë këtij hendeku shpesh jetojnë dy botë, atë të fesë (imagjinare, sepse nuk e aplikojnë dot) dhe të jetës e cila çdo ditë e më shumë ka kërkesat e saj.
Në këtë rast fetarët flasin për histori të shkuara, ngjarje të cilat i takojnë brezave të kaluar dhe fatkeqësisht duke mos u aktualizuar ato mbeten si gojëdhëna të cilat të mbushin me emocion por nuk aktualizohet asgjë.
Ajo që kërkohet medoemos është kuptimi i thellë i vetë fesë, pastaj kuptim po aq i thelluar edhe i vetë aktualitetit ku jemi, i rrethanave që gjendemi dhe i vendit ku jetojmë.
——-
Kështu feja nuk mbetet thjesht histori që tregohet por sistem që jetohet.

Nga: Vladimir Kera