Kurani mbi zullumin

Hfz Ataullah Aliu r.a

1) Kuptimi etimologjik dhe terminologjik i fjalës edh-dhulm (mizori)

a) Kuptimi etimologjik

Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, termin dhunë (zullum) e shpjegon: përdorim i forcës fizike, i shtrëngimit fizik ose psikik; cenim i rëndë i nderit të dikujt me vepra
a me fjalë, e keqe, etj.(1)
Mikel Ndreca, termin zullum-i (ar. zulm-dëm) e shpjegon: dëm; të këqija, padrejtësi, mujshi, që bën dikush duke përdorur fuqinë e dhunën.(2)
Sipas, Ibn Mendhurit, fjala edh-dhulmu (mizori) ka kuptimin: vendosje e një çështjeje në vend joadekuat, tejkalim i kufirit.(3)
Sipas, Sa’di Ebu Xhejbit, termi edhdhulmu (mizori) do të thotë: vënia e një sendi (çështjeje) në vendin joadekuat të saj ose të lihet mangu apo të teprohet, ose ta shtysh nga koha ose vendi i saj, shkelje e së drejtës.(4)
Në Mu’xhem Lugatul-Fukaha’, termi edh-dhulm (mizori) shpjegohet si tirani dhe pengim i së drejtës.(5)
Në fjalorin El-Munxhid Fil-lugati Vele’lam, fjalën edh-dhulm (mizori) e gjejmë me këtë kuptim: vënia e një sendi (çështjeje) në vendin joadekuat të saj.(6)
Sipas Muftiçit, termi dhulmun ka kuptimin: të tiranizosh, të keqpërdorësh, të shtypësh, të mundosh.(7)

b) Kuptimi terminologjik

Sipas hadithit të Pejgamberit në lidhje me abdestin, termi edh-dhulmu (mizori) do të thotë: ai që tepron ose lë mangu diçka nga synetet e abdestit, ka bërë padrejtësi (zullum), të larguarit nga qëllimi.(8)
Sa’di Ebu Xhejb, termin edh-dhulmu (mizori) e shpjegon: largim prej së vërtetës kah e pavërteta. E, kjo është tirani. Të dirigjosh pronën e tjetërkujt dhe të kalosh kufirin.(9)
Sipas Mu’xhem Lugatul-Fukaha, termi edh-dhulm (tirani) e ka kuptimin: vënia e një sendi në vendin joadekuat të saj.(10)
Muftiçi, termin dhulmun (tirani) e shpjegon: të shkaktosh, të provokosh dhunë, të gabosh ndaj (dikujt), të bësh padrejtësi (edhe pse autori nuk bën ndarjen etimologjike dhe terminologjike, mirëpo nga vetë teksti kuptohet si e tillë).(11)

2) Llojet e dhunës

Autori i tekstit “Minhaxhul-Muslim”, Ebu Bekër El-Xhezairi dhunën e ndan në tri lloje:
a) padrejtësia e njeriut (myslimanit) ndaj Allahut xh.sh.,
b) padrejtësia e myslimanit ndaj njeriut dhe krijesave të tjera dhe
c) padrejtësia e myslimanit ndaj vetvetes.

– Dhulmul-abdi li-Rabbihi (padrejtësia e myslimanit ndaj Allahut) bëhet me mosbesim dhe idhujtari. Autori për këtë nga Kur’ani sjell ajetet: “…Pabesimtarët janë mizorë” (El-Bekare, 254)(12).
“…sepse idhujtaria është padrejtësia më e madhe” (Lukman,13)
– Dhulmul-abdi li-gajrihi (padrejtësia e myslimanit ndaj të tjerëve), bëhet duke i dëmtuar ata moralisht, fizikisht ose materialisht, për se, ndër të tjera, sjell hadithin në të cilin Muhamedi a.s. thotë: ”Ai që i ka bërë padrejtësi vëllait të tij, për sa i përket nderit ose diçka tjetër, le t’i kërkojë falje e të mos presë ditën kur nuk vlejnë mjetet financiare, meqë, nëse ka vepra të mira, merren nga ai baras me padrejtësinë, e nëse nuk ka të mira, të këqijat merren nga ai që i është bërë mizori, dhe i ngarkohen mizorit” (Buhariu)13
– Dhulmul-abdi li-nefsihi (padrejtësia e njeriut ndaj vetvetes) bëhet duke e zhytur veten në mëkate të ndryshme dhe duke mos bërë përkulje ndaj urdhrave të Allahut dhe porosive të Muhamedit a.s. Për këtë kemi ajetin: ”…Pra Allahu nuk u bëri padrejtësi atyre, por ata ishin që vetvetes i bënë padrejtësi” (En-Nahl, 33)(14).

3) Komenti (tefsir)

“All-llahu nuk do publikimin e shprehjeve të këqija përveç të atij që i është bërë e padrejtë. All-llahu është dëgjues, i dijshëm” (En-Nisa’, 148).
Meqë dihet mirëfilli se hadithi është vetë koment i fjalës së Allahut xh.sh., quajmë të domosdoshme që për temën që po trajtojmë, të inkuadrohen edhe hadithe të Muhamedit a.s. Ajetin në fjalë Sejjid Kutbi e komenton kështu: Allahu xh.sh., ia ka ndaluar shoqërisë islame përhapjen e së keqes; përhapja e së keqes përkufizohet vetëm tek ai të cilit i është bërë padrejtësi, për t’u evituar kështu fjalët e këqija. Kjo do të thotë se duhet të kihet sjellje e drejtë ndaj tiranit dhe në suaza të caktuara, aq sa ka bërë ai. Qëllimi është që e drejta e përhapjes së të keqes së bërë të kufizohet vetëm për atë të cilit i është bërë padrejtësi.
Islami e mbron autoritetin e njerëzve që nuk bëjnë mizori. Ata që bëjnë zullum (padrejtësi), nuk e meritojnë këtë mbrojtje. Kjo do të thotë se personi që i është bërë padrejtësi, ka të drejtë që haptazi të flasë për të keqen që i ka bërë zullumqari (mizori). Ky është i vetmi përjashtim kur njeriut nuk i merret e drejta që të flasë për të keqen. Këtë shpjegim teksti kuranor e përcjell me këto fjalë: “All-llahu është dëgjues, i dijshëm” (En-Nisa’, 148), në mënyrë që i tërë rasti në fund të lidhet me Allahun, meqë në fillim e ka lidhur me dashurinë e Allahut: “All-llahu nuk do publikimin e shprehjeve të këqija” (En-Nisa’, 148), që zemra njerëzore të ndiejë se dëshirohet të vlerësohet qëllimi dhe preteksti, që do të thotë se e çmon fjalën dhe pandehjen për hir të Allahut, i Cili dëgjon ç’flitet, i Cili e di ç’fshihet pas atyre fjalëve në kraharorin e njeriut.(15)
Në lidhje me ajetin në shqyrtim: All-llahu nuk do publikimin e shprehjeve të këqija përveç (publikimit) të atij që i është bërë padrejtë. All-llahu është dëgjues, i dijshëm. Sherif Ahmeti bën këtë koment: “Vetëm ankesën e atij që i bëhet zullum (padrejtësi), Allahu nuk e kthen mbrapa, edhe nëse nga zullumi nuk mund të ndalë veten e shprehet keq”.(16)
Kjo do të thotë se shtypja është më e rëndë sesa të shprehurit keq të personit që i bëhet shtypje, dhe ai nga kjo nuk mund ta përmbajë veten, andaj të shtypurit i lejohet që ta interpretojë atë.
Sa i përket këtij ajeti: All-llahu nuk do publikimin e shprehjeve të këqija përveç (publikimit) të atij që i është bërë padrejtë. All-llahu është dëgjues, i dijshëm, në Tefsirul-Mujeser kemi këtë koment: Dënimi ndaj atij që bën keq, duhet të jetë i njëjtë, pa e tepruar, e ai që e fal dëmbërësin, heq dorë nga dënimi dhe krijon marrëdhënie të mira të ndërsjella duke kërkuar kënaqësinë e Allahut xh.sh., shpërblimi për këtë falje atij i takon nga Allahu xh.sh. Allahu nuk i do mizorët, të cilët të parët e fillojnë armiqësinë me njerëzit dhe që u bëjnë keq atyre.(17)

4) Njeriu dhunëbërës as në këtë botë nuk mund të shpëtojë nga pasojat

Sipas mësimeve islame, njeriu i cili bën padrejtësi ndaj kujtdo qoftë, nuk mund të shpëtojë nga goditja e së keqes edhe në të gjallë të tij. Përveç përgjegjësisë që do të japë para Zotit xh.sh., ai njëherësh do të japë përgjegjësi në një mënyrë apo tjetër edhe në këtë botë. Kur e kishte dërguar Muadhin në Jemen, Muhammedi a.s. i pati thënë: “Ruaju mallkimit (beduvasë) të personit ndaj të cilit është ushtruar dhunë, ngase midis atij mallkimi dhe Allahut nuk ka pengesë, perde”.(18)
Muhammedi a.s. deklaron se Allahu xh.sh. thotë: “O robët e Mi! Unë ia kam ndaluar Vetes dhunën, por atë e kamndaluar edhe për ju ndaj njëri-tjetrit, andaj mos bëni padrejtësi”. (Transmetojnë Muslimi dhe Tirmidhiu).(19)
Muhammedi a.s. thotë: “Vërtet All-llahu e duron zullumqarin (mizorin), po, kur ta rrëmbejë, nuk i shpëton dot” (Transmetim unanim)20. Pastaj Muhamedi a.s. e lexoi ajetin: “Ja, ashtu dënon Zoti yt kur dënon qytete që kanë bërë mizori; Dënimi i tij është fort i dhembshëm” (Hud, 102)(21).
Pejgamberi a.s. thotë: “Allahu na ka obliguar të jemi të urtë, të mos bëjmë padrejtësi në mes nesh dhe të mos nënçmojmë njëri-tjetrin”. (Transmetojnë, Muslimi dhe Ebu Davudi).(22)
Për çështjen në fjalë ndoshta nuk do të ishte e tepërt të sjellim një rast konkret, të cilin e rrëfen Dervish Spahiç, i cili thotë: Një haxhi po përgatitej për haxh, kur një ditë takohet me borxhliun e tij, i cili i thotë: “Ti po përgatitesh për haxh, e mua më ke borxh një lopë”. Në këtë rast ai që kishte vendosur të shkonte në haxh, e refuzoi borxhin, ndërsa dhënësi i borxhit, i dëshpëruar, i tha: “Dhashtë Zoti që ti të mos shkosh në Haxh”! Megjithatë borxhliu qe nisur me haxhinjtë e tjerë dhe kisht arritur deri në Beograd, ku qe sëmurur e shtrirë në spital dhe pati mbetur aty derisa qenë kthyer hanxhinjtë prej Haxhit, dhe së bashku me ta edhe ai qe kthyer në shtëpi. Kur u kthye, shkoi te ai që i kishte borxh, ia pagoi atë dhe ikërkoi hallallin, të cilin huadhënësi e pranoi dhe kështu në vitin e ardhshëm ai do të shkonte në Haxh pa kurrfarë pengese.(23)

_______________________
Fusnotat:
1. Grup autorësh, “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe”, Tiranë, 1980, fq. 411.
2. Mikel Ndreca, “Fjalor fjalësh e shprehjesh të huaja”, Prishtinë, 1986, fq. 747.
3. I’bn Mendhur, “Lisanul-Arab”, VIII, Bejrut-Lubnan, 1997, fq. 263-264.
4. Sa’di Ebu Xhejb, “El-Kamusul-Fikhi Lugaten ve Istilahan”, Dimeshk, 1988, fq. 238.
5. Prof. Dr. Muhamed Revas Kalaxhi dhe Dr. Hamid Sadik Kanibi”, Mu’xhem Lugatul-Fukaha, Arabi-Ingilizi”, Bejrut, 1985, fq. 296.
6. Grup autorësh, “El-Munxhid Fil-lugati Vele’-lam”, Bejrut, 1973, fq. 481.
7. Teufik Muftic, “Arapsko-Bosanski Rjecnik”, Sarajevo, 1997, fq. 910.
8. I’bn Mendhur, “Lisanul-Arab”, VIII, Bejrut- Lubnan, 1997, fq. 263-264.
9. Sa’di Ebu Xhejb, “El-Kamusul-Fekhi Lugaten ve Istilahan”, Dimeshk, 1988, fq. 238.
10. Prof. Dr. Muhamed Revas Kalaxhi dhe Dr. Hamid Sadik Kanibi”, Mu’xhem Lugatul- Fukaha’, Arabi-Ingilizi”, Bejrut, 1985, fq. 296; Shih: Muhamed ibn Al-lan El-Mekki, “Delilul- Falihin”, I, pa vend botimi, 1966, fq. 514.
11. Teufik Muftic, “Arapsko-Bosanski Rjecnik”, Sarajevo, 1997, fq. 910.
12. Përkthimi i ajeteve është marrë nga: H.Sherif Ahmeti, KUR’AN-i, përkthim me komentim, Prishtinë, 1988.
13. Ebu Bek’r Xhabir El-Xhezairi, “Minhaxhul- Muslim”, pa vend botimi, 1977, 182.
14. Po aty, faqe 183
15. Sejjid Kut’b, “U okrilju Kur’ana”, 6, Sarajevo, 1997, fq. 11-12.
16. h. Sherif Ahmeti, “Kur’an-i përkthim me komentim”, Prishtinë, 1988, fq. 155.
17. Grup autorësh, “Et-Tefsirul-Mujesser”, Medinetul- Munevvere, 1999, fq., 487.
18. “Sahihu-Buhari në Gjuhën Shqipe”, 6, Prishtinë, 2000, fq. 191; I’bn Haxher El Askalani, “Fet’hul-Bari”, V, El-Kahiretu, 1998, fq. 124.
19. Shemsud-din Edh-Dhehebi, “Kitabul-Kebair”, El-Kahire, botim i pestë, 1967, fq. 102.
20. Imam Nevevi, “Rijadus-Salihin”, Prishtinë, 2003, fq. 118.
21. Po aty, fq. 118.
22. Edh-Dhehebi, “Mëkatet e Mëdha dhe Ndalimi i Tyre”, Shkup, 1995, fq. 98; Shih: grup autorësh, “Këshilla të Bukura”, Shkup, 2003, fq.
97-98.
23. Hadzi-Derviš Spahic, “Pouke o moralu i bogobojaznosti”,
Sarajevo, 1988, fq. 88.

Nga: Hfz. Ataullah Aliu (r.a)
dituria islame / 204-205
/islamgjakova