Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalimin e tij në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës ka deklaruar se në përvjetorin e 18-të të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë kujton qëndresën paqësore të viteve të 90-ta dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
I pari i Qeverisë ka thënë se derisa sot kujton datën e shpalljes së Republikës së Kosovës, brengoset që krerët e UÇK-së po akuzohen padrejtësisht, pasi siç tha ai ata guxuan të marrin armët për liri kundër një regjimi gjenocidal.
Ai ka theksuar se akuzat e Prokurorisë Speciale në Hagë për krime njerëzimi nuk qëndrojnë.
Derisa, kryeministri shtoi se krime kundër njerëzimit ndaj popullësisë civile shqiptare ka kryer Serbia e Millosheviqit, ndërsa kërcënim për përsëritje të tyre sipas kryeministrit, është Serbia e Vuçiqit.
Në fund, ai ka shtuar se barazimi mes krerëve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm dhe i papranueshëm për Kosovën.
“Ne kujtojmë sot qëndresën paqësore të viteve 1990 dhe kujtojmë sot UÇK-në, ne përkulemi me nderim para dëshmorëve dhe përpiqemi që ta ruajmë dhe ta lartësojmë republikën tonë edhe në emrin e tyre, ndërsa kujtojmë datën e shpalljes së Republikës së Kosovës, brengosemi që krerët e UÇK-së po akuzohen padrejtësisht sepse ata guxuan të marrin armët për liri kundër shtypjes një shekullore dhe kundër një regjimi gjenocidal, akuzat e Prokurorisë Speciale në Hagë për krime njerëzimi nuk qëndrojnë, ato nuk marrin parasysh konceptin historik politik të luftës sonë çlirimtare, së cilës ia detyrojmë lirinë e sotme. Krime kundër njerëzimit ndaj popullsisë civile shqiptare ka kryer Serbia e Millosheviqit. Kërcënim për përsëritjen e tyre është Serbia e Vuçiqit, barazimi mes krerëve të UÇK-së dhe një regjimi gjenocidal është i paqëndrueshëm dhe i papranueshëm për ne”, ka deklaruar Kurti në seancën solemne të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.








