Kurti: NATO, pjesë jetike e së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes sonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Aleanca Veri Atlantike (NATO) ishte jetike për Kosovën gjatë vitit 1999.

Kurti deklaroi se edhe pas 24 viteve, NATO-ja ka rol jetik në ruajtjen e sigurisë për Kosovën.

Këtë Kurti e tha pas takimit që pati me komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napol.

“Nga ndalimi i gjenocidit në ’99 deri tek mbështetja e sigurisë së Kosovës, NATO është një pjesë jetike e së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes sonë”, ka shkruar Kurti.

Ndryshe i pari i Qeverisë së Kosovës ishte pjesëmarrës në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku ka takuar edhe të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

“Kryeministri Kurti falënderoi Peach për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në zhvillimin dhe proceset integruese të saj, dhe rolin aktiv të Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftimin e 19 shkurtit.

Gjatë kësaj vizite Kurti ka takuar edhe zëvendëskryeministrin e Italisë, Antonio Tajani, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.