Kurti paralajmëron zhvillime: Pesëshja e BE-së këtë vit po bën hapa të mëdhenj për ta njohur Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se mund të ketë lëvizje nga pesëshja e vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën.

Në një intervistë për Blick, Kurti ka thënë se Kosova është në kontakt me Spanjën, Sllovakinë, Greqinë, Rumaninë e Qipron, shkruan lajmi.net.

Ai ka thënë se gjatë këtij viti priten hapa të mëdhenj në drejtim të njohjes nga këto shtete.

“Jemi në kontakt intensiv me pesë vendet që nuk na njohin: Spanjën, Sllovakinë, Greqinë, Rumaninë dhe Qipron. Këtë vit ata po bëjnë hapa të mëdhenj drejt njohjes së Kosovës”, ka thënë Kurti.

Kurti tutje ka hedhur paralele mes presidentit serb, Aleksander Vuçiq dhe atij rus, Vladimir Putin.

Kryeministri tha se Serbia nuk është një vend demokratik, por një autokraci.

“Ashtu si Rusia, Serbia nuk është një vend demokratik, por një autokraci. Putin ka pasur shumë pushtet për një kohë të gjatë, ashtu si edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Ka shumë ngjashmëri mes dy vendeve”, tha Kurti kur u pyet se pse mendon se Serbia mund të ketë tendenca për ta eskaluar situatën në rajon.