Kurti s’ka kufizime të jetë kryeministër

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti nuk pritet të ketë kufizime të marrë pozitën e kryeministrit, pas fitores së 14 shkurtit. Megjithatë, partitë opozitare në Kuvend mund ta kontestojnë ligjshmërinë e tij në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me aktgjykimin e së njëjtës, ku Kurti nuk u certifikua si kandidat për deputet, meqenëse kishte dënim të plotfuqishëm në tri vjetët e fundit.

Drejtori i organizatës joqeveritare “Çohu”, Arton Demhasaj ka thënë për KosovaPress se meqenëse nuk ka ligj për qeverinë, Kurti nuk mund të kufizohet të jetë kryeministër, pasi nuk ka ndonjë kriter ligjor që duhet plotësuar për të qenë në krye të ekzekutivit.

“Nuk ka ligj për qeverinë, i cili tregon specifikat e caktuara se çka duhet dhe çka jo për të qenë kandidat për kryeministër. Rrjedhimisht prej kësaj nuk ka ndonjë lidhje logjike ndërmjet asaj se çka kërkohet me qenë kandidat për kryeministër, e çka jo. Për me qenë kandidat për deputet kemi Ligjin për Zgjedhje që i ka përcaktuar disa parime, e njëri nga ta ka qenë që nuk mundesh të jesh i dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm në tri vjetët e fundit. Kjo është shumë e paqartë si procedurë dhe mbetet të shihet, pasi Kurti të dekretohet për kryeministër nga ana e presidentes”, deklaroi Demhasaj.

Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka thënë për KosovaPress, se Kushtetuta, legjislacioni në fuqi dhe as vendimi i fundit i Kushtetueses nuk e kufizojnë Kurtin të marrë pozitën e kryeministrit, pasi sipas saj, aty flitet vetëm për kriteret që duhen plotësuar kandidatët për deputet dhe jo kryeministri.

“Kushtetua dhe legjislacioni në fuqi, dhe as vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk paraqet asnjë kufizim për pozitën e kryeministrit. Rrjedhimisht, edhe vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese lidhur me kriteret që duhen plotësuar për të qenë kandidat për deputet i Kuvendit të Kosovës, nuk flasin për kriteret që duhen plotësuar nga ana e kryeministrit të Kosovës. Andaj në këtë aspekt ne konsiderojmë se nuk ka asnjë kufizim për zotëri Kurtin që i njëjti të marrë pozitën e kryeministrit”, u shpreh ajo.

Por, Demhasaj nga Çohu thotë se u takon partive opozitare të vendosin rreth ankimimit të mundshëm në Kushtetuese apo do ta përdorin këtë vetëm si retorikë politike në Kuvend.

“Mbetet të shihet si do të veprojnë partitë opozitare, a do të ankimojnë këtë në Gjykatën Kushtetuese, apo do t’ia përdorin në Kuvend me i thënë që t’i ke dënim dhe je kryeministër. Të dy këto alternativa janë të mundshme. Por më e mundshme mund të jetë kontestimi në Gjykatën Kushtetuese, për faktin se aktvendimi i Kushtetueses kur flet për pamundësinë e kandidaturës nëse je me aktgjykim në tre vjetët e fundit flet se nuk mund të marrësh as mandat të vlefshëm në Kuvend. Kjo mbetet të shihet nëse bëhet kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të sqarohet se a konsiderohet se marrja e mandatit të vlefshëm është kur si kryeministër merr mandatin e vlefshëm përmes votës në Kuvend”, ka thënë Demhasaj.

Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se nëse kontestohet kryeministri Kurti në Kushtetuese, e njëjta duhet të sqaronte se a vlen aktgjykimi i saj edhe për postet tjera publike.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk flet për çështjen e kryeministrit apo pozitave të tjera qeveritare. Përderisa sa i përket kandidatëve për deputet ka një normë ligjore që ndalon kandidimin e personave që kanë probleme me ligjin, norma të kësaj natyre nuk ekzistojnë në raport me pozitën e kryeministrit dhe pozitave të tjera qeveritare. Në anën tjetër, vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese përcakton se personat e dënuar në tri vjetët e fundit nuk mund të jenë kandidat për deputet e as të fitojnë mandat të vlefshëm nga Kuvendi. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në këtë rast nuk e sqaron se në rastin konkret a kemi të bëjmë me mandat të deputetit apo ndonjë mandat tjetër që rrjedhë nga Kuvendi, siç është rasti i kryeministrit dhe pozitave të tjera qeveritare. Nëse eventualisht ky rast do të jetë objekt shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese, kjo e fundit do të duhej të sqaronte këtë pjesë të diapozitivit të aktgjykimit të saj”, tha Shala.

Lideri i Vetëvendosjes nuk u certifikua kandidat për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit, pas vendimit të Kushtetueses e cila ndaloi të gjithë personat që kanë dënime të formës së prerë në tri vjetët e fundit të jetë kandidat për deputet. Përkundër kësaj, Lëvizja Vetëvendosje, sipas rezultateve preliminare doli e para bindshëm me 47.85 për qind.

Albin Kurti në shtator 2018 u dënua me kusht, me vendim të formës së prerë për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.