Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kuvendi i Shqipërisë me deklaratë “Për pafajësinë e udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare...

Kuvendi i Shqipërisë me deklaratë “Për pafajësinë e udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar deklaratën “Për pafajësinë e udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë”.

Deklarata u miratua në seancën e sotme parlamentare me 92 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.

Deklarata u paraqit para deputetëve nga kryetari i Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, Igli Hasani, i cili theksoi se Kuvendi shpreh shqetësimin e thellë për kërkesën përfundimtare të Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

“Kuvendi i Shqipërisë, duke mbajtur parasysh të vërtetën historike të luftës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës, rithekson se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje legjitime çlirimtare që luftoi për të drejtat themelore të njeriut, për liri, dinjitet dhe vetëvendosje të popullit të Kosovës, në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara”, u shpreh Hasani.

Sipas Hasanit, Kuvendi vëren me shqetësim se kërkesa e Prokurorisë Speciale rrezikon të krijojë një shtrembërim të rrezikshëm të historisë, “duke barazuar luftën legjitime të një populli për mbijetesë dhe liri me krimet e regjimit serb të Millosheviqit, i cili kreu spastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit ndaj popullit të Kosovës”.

“Kuvendi i Republikës së Shqipërisë deklaron mbështetjen e plotë dhe të pakushtëzuar për drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ishin dhe mbeten përfaqësues të aspiratave të drejta të popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje. Lufta e tyre ishte luftë e drejtë, e mbështetur në parimet universale të të drejtave të njeriut. Kërkesën drejtuar Dhomave të Specializuara në Hagë, komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare që të deklarojnë pafajësinë e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit përmes një procesi të drejtë dhe të paanshëm, që respekton dhe nuk cenon dinjitetin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, duke mos lejuar që instrumentet e drejtësisë të shndërrohen në mjete për rishkrimin e historisë apo për barazimin e viktimës me agresorin”, thuhet në deklaratë.

Më tej theksohet se shprehet solidariteti i plotë me popullin e Kosovës dhe me familjet e drejtuesve të UÇK-së, “duke e ritheksuar se kombi shqiptar qëndron i bashkuar në mbrojtjen e të vërtetës historike dhe të dinjitetit të luftës për liri”.

“Kuvendi deklaron angazhimin për të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm diplomatik dhe politik në forume ndërkombëtare për të siguruar që e vërteta historike mbi luftën çlirimtare të Kosovës të mos cënohet dhe që drejtësia të ushtrohet në mënyrë të drejtë. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë u bën thirrje institucioneve të shtetit shqiptar, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe diasporës shqiptare që të qëndrojnë të bashkuar në mbrojtjen e së vërtetës, dinjitetit dhe drejtësisë për popullin e Kosovës dhe për drejtuesit e luftës së tyre çlirimtare, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi”, thekson deklarata.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, sipas deklaratës u rekomandon qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës të bashkëpunojnë dhe koordinojnë për “denoncimin ndërkombëtar të krimeve serbe në Kosovë”.

Gjithashtu, thuhet se kjo deklaratë pasqyron vullnetin unanim të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe i transmetohet Dhomave të Specializuara në Hagë, Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Parlamentit Evropian, Asambleve Parlamentare të NATO-s, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, si dhe të gjitha qeverive mike dhe partnere.

Disa ditë më parë, kryeprorkurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Gjykatën Speciale në Hagë, Kimberly West, kërkoi nga 45 vjet dënim me burg për secilin, apo 180 vjet gjithsej për katër të akuzuarit e rastit Thaçi dhe të tjerët, që është rasti kryesor i kësaj gjykate.