Ky është numri i kosovarëve që po presin për shërim jashtë vendit

Pacientët nga Kosova shpenzojnë miliona euro brenda vitit, për të kërkuar trajtim mjekësorë jashtë vendi, për arsye se në vendin tonë shëndetësia ballafaqohet me mungesa të ndryshme.

Mirëpo, kjo nuk është aspak mirë, pasi që kjo situatë rezulton në humbje të madhe në aspektin e ekonomisë në Kosovë.

Në një përgjigje për “Indeksonline”, Ministria e Shëndetësisë ka treguar se sa janë pacientët të cilët janë duke pritur ndihmë për t’u shëruar jashtë vendit.

“Sipas të dhënave të siguruara nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, në pritje për shqyrtim të procedurave nga Bordi Ekzekutiv për aprovim/miratim të shumës financiare për trajtim janë 40 raste”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.

Më tej, dikasteri qeveritar që udhëhiqet nga Ministri, Uran Ismaili ka treguar disa raste se në cilat vende udhëtojnë më së shpeshti pacientët e QKUK-së.

“… shumica e trajtimeve bëhen në Kosovë (në institucione private), pasuar me disa raste që shkojnë në shtetin e Turqisë, Shqipërisë, Maqedonisë dhe vendeve perëndimore si Gjermania, etj”, thuhet në fund të përgjigjes.

Rikujtojmë, se mungesa e kushteve esenciale në spitalet e Kosovës po i shtynë pacientët të cilët po detyrohen që të kërkojnë trajtim mjekësor jashtë vendit.

Ndryshe, në këtë vit Ministria e Shëndetësisë për këtë qëllim ka ndarë 6 milionë euro.