Ky është numri i votave që i nevojiten Kosovës për pranim në INTERPOL

Sot në Dubai votohet në lidhje me pranimin e Kosovës në INTERPOL si anëtarja e 193-të.

Në Dubai është duke u zhvilluar Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it ku sot do të votohet në lidhje me kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në organizatën ndërkombëtare të policisë.

Pas diskutimeve të reja që kanë filluar sot në mëngjes, do të pasojë votimi në lidhje me pranimin e Kosovës në INTERPOL si anëtarja e 193-të.

Votimi parasheh dy rrethe, kurse për anëtarësim nevojitet mbështetja e dy të tretës së shteteve anëtare, shkruan portali serb “Blic”, transmeton lajmi.net.

Prishtina dhe Beogradi kanë bërë gjithçka në fuqinë e tyre për anëtarësim përkatësisht kundër tij.

INTERPOL aktualisht ka 192 anëtarë por këtë vit në Dubai ku është duke u mbajtur Asambleja e Përgjithshme e organizatës janë pjesëmarrëse 173 delegacione.

Kjo do të thotë se Kosovës për t’u anëtarësuar në INTERPOL i nevojiten së paku 115 vota, ose mbështetje nga delegacionet pjesëmarrëse.