Laurit Krasniqi, “përforcimi” i Kosovës për krahun e majtë

Ka më shumë se një vit që Përfaqësuesja e Kosovës në futboll nuk ka pasur zgjidhje adekuate për krahun e majtë të mbrojtjes. Largimi i Leart Paqaradës ka lënë një “boshllëk”, i cili është munduar të mbulohet me lojtarë të pozitave të ndryshme. Paqarada në prill të vitit të shkuar mori vendim që të mos i përgjigjet ftesës së Kosovës për shkak se nuk ishte i kënaqur me minutazhën që ia ofronte atëbotë përzgjedhësi Bernard Challandes. Edhe me ardhjen e përzgjedhësit të ri, Alain Giresse, Paqarada nuk është grumbulluar me Kosovën që nga largimi i tij. E Kosova duket se të premten ka gjetur zgjidhjen për pozitën ku nuk ka pasur rehati kohët e fundit. Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar se Laurit Krasniqi ka pranuar ta përfaqësojë Kosovën në nivel nacional. 21-vjeçari që luan në pozitën e mbrojtësit të majtë është pjesë e ekipit elitar të Belgjikës, Antwerpi.

“Një tjetër futbollist që po spikat në arenën evropiane ka vendosur t’i bashkohet Kosovës. Bëhet fjalë për mesfushorin e krahut të majtë të skuadrës belge Royal Antwerp, Laurit Krasniqi. Ky i fundit, të enjten në mbrëmje, luajti për herë të parë në stadiumin ‘Fadil Vokrrri’, në ndeshjen kundër Dritës në Ligën e Konferencës dhe ishte vendimtar në kualifikimin e skuadrës së tij, duke shënuar golin i cili e zhbllokoi rezultatin e ndeshjes. E shumë shpejt Lauriti pritet të paraqitet në këtë stadium edhe në fanellën e Kombëtares së Kosovës dhe të shndërrohet në idhullin e tifozëve dardanë”, thuhej në njoftimin e FFK-së. “Në fakt presidenti Agim Ademi është takuar me futbollistin dhe e ka bindur që në nivel kombëtaresh ta përfaqësojë Kosovën. Kreu i FFK-së e ka përgëzuar Lauritin për arritjet e deritashme, si dhe ka uruar që ai të ketë të ardhme të ndritur si me klubin e tij e po ashtu edhe në fanellën dardane. Ndërkaq vetë futbollisti është shprehur i lumtur që po i jepet mundësia të japë kontributin e tij për vendin e origjinës dhe se do të bëjë çmos që të vazhdojë të luajë në nivele sa më të larta dhe t’i bëjë krenarë familjen e tij dhe të gjithë tifozët e Kombëtares së Kosovës”.

E njoftimin se Krasniqi i “ka thënë po Kosovës”, FFK-ja e bëri një ditë pasi ai shënoi golin e tij të parë këtë edicion me fanellën e ekipit belg. Ai i shënoi gol nënkampiones së Kosovës, Dritës, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë për ta ndihmuar Antwerpin që të avancojë në fazën e tretë të kualifikimeve të Ligës së Konferencës. Te enjten mbrëma Drita u eliminua në raundin e dytë pasi pësoi me shifrat 2:0 nga ekipi belg, me të cilin luajti pa gola javën e shkuar në udhëtim. Në dy ndeshjet ndaj Dritës, Krasniqi ka qenë titullar i padiskutueshëm tek Antwerpi. Si në Belgjikë ashtu edhe në Prishtinë, Krasniqi ka luajtur nga 90 minuta.

“E gjithë familja ime ishte në tribuna, kështu që mund ta paramendoni. Në fillim isha paksa i stresuar, sidomos me atmosferën në stadium, por në fund gjithçka shkoi mirë dhe e shijova ndeshjen. Ende nuk po mund të besoj dhe nuk mund ta përshkruaj ndjenjën”, tha Krasniqi pas ndeshjes me Dritën.

Ai e zhbllokoi rezultatin e ndeshjes në minutën e 53-të, duke shënuar me kokë. E me golin e Krasniqit dhe paraqitjen e tij kundër Dritës ka mbetur i kënaqur edhe trajneri i Antwerpit, Mark van Bommel.

“Kjo është diçka fantastike për Lauritin. Si kosovar ai e priste me padurim këtë ndeshje kur goli i shënuar vetëm se bëri edhe më madhështore paraqitjen e tij”, ishin fjalët e trajnerit Van Bommel.

Krasniqi si futbollist është zhvilluar në akademinë e Antwerpit, përpara se të përfshihet në ekipin A para fillimit të këtij sezoni. Ai në ndeshjen e parë kampionale ndaj Mechelenit nuk ishte në mesin e lojtarëve të ftuar nga trajneri Van Bommel. Krasniqi ka lindur në Belgjikë, por prejardhjen e ka nga qyteti i Ferizajt. Aktualisht ai ka kontratë me Antwerpin deri në verën e vitit të ardhshëm.