Lavrov: Perëndimi po pengon hyrjen e grurit rus në tregjet botërore

Shtetet perëndimore nuk i kanë hequr sanksionet që pengojnë transportimin e grurit dhe plehrave kimike ruse në tregun botëror në kuadër të marrëveshjes së korridorit të grurit të nënshkruar në Stamboll, deklaroi sot ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov gjatë një konference të përbashkët për shtyp pas takimit me ministrin e Jashtëm të Tajlandës, Don Pramudwinai.

Duke vënë në dukje se ata po punojnë me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres dhe ekipin e tij për të siguruar që gruri rus të arrijë në tregun botëror në përputhje me marrëveshjen e arritur në Stamboll, Lavrov i cilësoi pretendimet se veprimet e Rusisë kanë shkaktuar krizën në tregjet e ushqimeve, si deklarata të fryra artificialisht.

Lavrov theksoi se e vërteta ishte e kundërta e atyre deklaratave.

“Kolegët tanë perëndimorë nuk po e bëjnë atë që na është premtuar nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, ata nuk i kanë hequr sanksionet logjistike që pengojnë hyrjen e lirë të grurit dhe plehrave kimike ruse në tregjet botërore”, u shpreh shefi i diplomacisë ruse. /atsh