Liderët japin premtime astronomike

Ramush Haradinaj i ka lënë pa fjalë edhe optimistët më të mëdhenj me premtimin që e bëri para nisjes së fushatës zgjedhore se vetëm tre muaj pasi të zgjidhet kryeministër Kosovës do t’i hiqen vizat me Bashkimin Evropian, shkruan sot, gazeta Zeri.

Ndërsa profesorit të ekonomisë, Avdullah Hotit, kandidatit të koalicionit LDK-AKR për kryeministër vështirë se do të mund t’i besojë ndonjë profesionist i ekonomisë, i cili ka premtuar se nëse ai vjen në krye të ekzekutivit të vendit buxheti i Kosovës do të arrijë në 5 miliardë euro, duke u trefishuar kështu nga buxheti aktual.

Ky premtim mund të jetë i realizueshëm vetëm nëse bashkohet buxheti i Kosovës dhe i Shqipërisë, për të cilën gjë angazhohet i nominuari i lëvizjes “Vetëvendosje” për kryeministër, Albin Kurti.

Edhe ky i fundit nuk i ka shpëtuar gjatë këtyre ditëve premtimeve megalomane për votuesit, e njëri ndër ta është se pensioni minimal në Kosovë do të dyfishohet, duke synuar se në këtë mënyrë ta fitojë besimin e dhjetëra mijëra pensionistëve kosovarë.

Ndërsa premtimi më “astronomik” i këtyre ditëve ishte i liderëve të tri partive: Kadri Veselit, i cili premtoi rritje të pagave në sektorin publik për 30%, që përkthyer në shifra i bie rritje të shpenzimeve për këtë kategori buxhetore për hiç më pak se 200 milionë euro, Fatmir Limaj, që premtoi 400 milionë euro investime vetëm në sektorin e bujqësisë dhe Behgjet Pacolli, që premtoi rritje ekonomike të vendit prej 8 për qind, derisa investimet e huaja dhe eksportet vendore po shënojnë rënie të vazhdueshme.

Gazeta “Zëri” i ka analizuar premtimet e parafushatës së këtyre liderëve, të cilat sipas ekspertëve të ekonomisë janë megalomane dhe të parealizueshme, me të cilat, siç thonë ata, synohet vetëm joshja e votuesve më 11 qershor.