Ligji për pagat mund të përfundojë në Kushtetuese

Disa zyrtarë publikë do të pësojnë ulje të pagave e disa rritje, me futjen në fuqi të Ligjit për pagat. Projektligji është në konsultim publik dhe duhet të kalojë disa faza deri në kthimin e tij në ligj. E në momentin që bëhet ligj, mund të shkojë në Kushtetuese dhe të mos kalojë filtrat e saj “për diskriminim të disa kategorive”.

Drafti i Projektligjit për pagat po vlerësohet me disa mangësi, për të cilat nëse dërgohet në Kushtetuese, mund të mos i kalojë filtrat e saj. Kështu vlerësojnë njohës të drejtësisë e të ekonomisë, të cilët kanë gjetur se disa kategori mund të jenë diskriminuar e mosvlerësuar siç duhet.

Rreth 120 euro pritet të jetë vlera monetare e një koeficienti të pagave të zyrtarëve publikë, sipas burimeve të KOHËS brenda Qeverisë së Kosovës.

Në Projektligjin për Pagat, që aktualisht është në konsultim publik, nuk është përfshirë vlera e koeficientit, meqë sipas këtij projektligji ajo do të përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit. Me këtë projektligj, raporti i koeficienteve do të jetë 1 me 18. Sipas Projektligjit, pas presidentes, më së shumti do të paguhet kryetari i Gjykatës Kushtetuese, që do ta ketë koeficientin 17.5, i cili nëse llogaritet me vlerën monetare prej 120 eurosh, atëherë paga e tij do të jetë 2.100 euro, rreth 500 më pak sesa e ka aktualisht. Atë, me 2040 euro pagë do ta pasojnë kryetari i Gjykatës Supreme e kryeprokurori i shtetit. Prej gjyqtarëve, më së shumti do të paguhet ai i Kushtetueses me 1968 euro pagë mujore e më së paku ai i Themelores, me rreth 1200 euro. Pavarësisht shumave, me këtë projektligj i bie se do të ulen pagat e gjyqtarëve e prokurorëve. Kjo zbritje e pagave të tyre, sipas Ehat Miftarajt të IKD-së, shkon diku deri në 40 për qind dhe siç thotë ai është në kundërshtim me praktikat e Komisionit të Venecias.

“Në bazë të praktikës së Komisionit të Venecias, që flasin për sigurinë juridike dhe sigurinë financiare të gjyqtarëve dhe prokurorëve, thuhet në mënyrë taksative që vetëm në rrethana të jashtëzakonshme mund të bëhet ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në rrethana të tjera kjo e bën pothuajse të pamundur që pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të zvogëlohen”, ka thënë Miftaraj.

Ai ka pasur kritika edhe për mospublikim të vlerës monetare të koeficientit. Por, sipas ekonomistes Albulenë Kastrati, shuma prej 120 eurosh për një koeficient do të ishte e pranueshme nëse merret parasysh kapaciteti buxhetor që ka shteti. Megjithatë, edhe Kastrati thotë të ketë gjetur vërejtje në draftin e projektligjit.

“Një kategori që unë e vërejta, që mungon në Ligjin e pagave, janë pozitat administrative në universitete, përveç nëse janë paraparë më vonë me ndonjë akt nënligjor. Më e udhës do të ishte të reformohej dhe të strukturohej administrata publike e pastaj të hyjë në fuqi Ligji i Pagave”, ka thënë Kastrati.

Nëpunësit civilë e ata të administratës, për punën e njëjtë do të paguhen ndryshe, kjo do të varet prej institucionit ku punojnë, duke nisur prej Presidencës e deri te çerdhet. Por, sipas Miftarajt të IKD-së, nëse nuk vlen parimi pagë e njëjtë për punë të njëjtë, aty ka elemente diskriminimi.

“Në momentin kur kemi që për të njëjtën punë paguhen në mënyrë të ndryshme varësisht a je në presidencë në Kuvend, në Qeveri, apo në Komunë, atëherë sigurisht që kjo hyn në kuadër të asaj që quhet diskriminim dhe në njëfarë mënyre mund të ndikojë që të mos e kalojë filtrin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar ai.

Miftaraj ka shtuar se nëse Ministria e Punëve të Brendshme dhe Qeveria nuk i merr parasysh vërejtjet dhe nuk i evitojnë problemet, ai thotë se Projektligji mund të mos hyjë në fuqi.

Koeficientin më të lartë me këtë projektligj, pra 18, do ta ketë vetëm presidentja, që nëse shumëzohet me shumën prej 120 eurosh të një koeficienti, do të paguhet 2160 euro në muaj, 512 euro më pak sesa rroga aktuale. Ulje do të ketë edhe paga e kryetarit të Kuvendit, nga 2555 euro në 2040 në muaj.

E ndryshe nga ta, rroga do t’i rritet shefit të Qeverisë. Ai do të paguhet 2040 euro në muaj, pra 540 euro më shumë sesa tash.

Rritje do të kenë edhe vartësit e tij, nga 1270 euro ministrat do të paguhen 1968 euro në muaj, ndërsa zëvendësit e tyre do të marrin pagë 1776 euro në muaj.

Më të larta sesa që i marrin aktualisht do të jenë edhe pagat e deputetëve, nga 1547 euro në muaj atyre do t’iu bëhen 1968 euro.

Lëvizje do të ketë edhe në sistemin arsimor. 768 euro në muaj do të paguhet drejtori i shkollës së mesme, e 72 euro më pak se ai mësimdhënësi. 744 do të jetë rroga e drejtorit të shkollës fillore e 672 e mësimdhënësit të asaj shkolle.

Por disa ditë më parë në emisionin DESKU të KTV-së, njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj, tha se ky dallim në pagë është i vogël marrë parasysh detyrat dhe përgjegjësitë e një drejtori krahasuar me ato të një mësimdhënësi. Ai propozoi që rroga e drejtorit të jetë rreth 900 euro.

“Drejtori i shkollës duhet të trajtohet më mirë, propozimi im, edhe në kuadër të procesit të konsultimeve do të propozoj, që formalisht koeficienti i drejtorit të jetë diku 7.5”, ka thënë Rexhaj.

Ky projektligj do të jetë në konsultime për 15 ditë, më pas i duhet të miratohet në Qeveri e Kuvend. Pas miratimit të tij, ai hyn në fuqi 8 muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare, që i bie në rastin më të mirë nga mesi i vitit 2023.

Në pritje të këtij ligji janë edhe mësimdhënësit dhe punonjësit e administratës publike. Ata janë në grevë nga 25 gushti, meqë, ndër të tjera, kërkojnë që t’u ndahen nga 100 euro shtesë në muaj deri në futjen në fuqi të Ligjit për pagat.