Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Lindja e Mesme e re, në krijim e sipër

Lindja e Mesme e re, në krijim e sipër

Turqia, aleanca për të kundërshtuar dominimin izraelit dhe forcuar pavarësinë e rajonit

Lindja e Mesme ka vijuar të jetë në qendër të agjendës së politikës botërore gjatë dy dekadave të fundit. Që nga shpërthimi i kryengritjeve dhe revolucioneve arabe në vitin 2011, rajoni ka përjetuar ngjarje dhe zhvillime të rëndësishme.

Valët e tronditjeve që pasuan këto kryengritje, kanë ndryshuar ndjeshëm ekuilibrat rajonalë të pushtetit. Ndërsa bota arabe humbi peshën e saj politike dhe u shembën shtetet që tradicionalisht kishin qenë bartëse të nacionalizmit arab, Izraeli u shfaq si shteti më me ndikim në rajon.

Në bashkëpunim me SHBA-në dhe me mbështetjen e fuqive të mëdha perëndimore, Izraeli i detyroi shtetet arabe, përmes të ashtuquajturës “Marrëveshja e Shekullit” dhe Marrëveshjeve të Abrahamit, të pranonin epërsinë e tij rajonale.

Pasi u çlirua nga presioni i shteteve arabe, Izraeli e përqendroi vëmendjen te Irani, një nga dy pengesat kryesore për realizimin e projektit të tij rajonal.

Qeveria e Netanyahut e bindi administratën Trump të sulmonte Iranin dhe, më 28 shkurt, të dy vendet nisën një ofensivë të gjerë ushtarake kundër tij.

Sulmet i shkaktuan Iranit dëme të rënda, duke eliminuar një pjesë të madhe të udhëheqjes së tij politike dhe fetare. Ndërkohë, projekti i ndikimit rajonal të Iranit, i njohur si “boshti i rezistencës”, u godit rëndë.

Pas dobësimit të ndjeshëm të Iranit, qeveria izraelite nisi të kërcënonte Turqinë, të vetmin shtet që, sipas kësaj logjike, ka aftësinë të pengojë dominimin e saj rajonal.

Shumë intelektualë, gazetarë dhe politikanë izraelitë kanë filluar ta kërcënojnë Turqinë hapur dhe drejtpërdrejt.

Madje Netanyahu, ka deklaruar se mundësia e një lufte me Turqinë është mjaft e lartë. Këto deklarata kundër Turqisë nuk mund të shpjegohen thjesht me klimën zgjedhore.

Përkundrazi, ato duhen parë si pjesë e një përpjekjeje për të ndjekur objektiva strategjikë. Natyrisht, Turqia ka ndërmarrë një sërë hapash të rëndësishëm politikë dhe ka zbatuar masa të ndryshme sigurie në përgjigje të një projekti rajonal që synon vendosjen e hegjemonisë izraelite.

Së pari, më 7 gusht 2026, Turqia nënshkroi një marrëveshje aleance me Pakistanin dhe Arabinë Saudite, të njohur si Aleanca e Mekës. Kjo aleancë u krijua si një strukturë që synon të mbrojë sigurinë e vendeve myslimane përballë agresionit izraelit.

Tri fuqi strategjike rajonale kanë krijuar kështu një mekanizëm parandalues dhe një paradigmë të re sigurie për rajonin.

Aleanca e Mekës bazohet në një marrëveshje të sigurisë kolektive, të modeluar sipas nenit 5 të NATO-s. Sipas nenit 2 të marrëveshjes, “një sulm i armatosur kundër njërit prej tri shteteve, do të konsiderohet si sulm kundër të gjithave”.

Kjo nismë, përbën një ndryshim të rëndësishëm në gjeopolitikën e Lindjes së Mesme dhe shënon marrëveshjen e parë institucionale të këtij lloji në rajon.

Në kuadër të konceptit të “pronësisë rajonale”, të promovuar nga Turqia, janë krijuar edhe disa platforma të tjera rajonale, ku janë përfshirë një numër i madh shtetesh.

Një nga karakteristikat kryesore të këtij koncepti është nxitja e sa më shumë vendeve për të ndërmarrë hapa konkretë në fushën e sigurisë dhe për ruajtjen e stabilitetit rajonal.

Për këtë qëllim, parimi i plotësueshmërisë merret parasysh si në përcaktimin e anëtarësisë së institucioneve rajonale, ashtu edhe në krijimin e vetë këtyre institucioneve. Me fjalë të tjera, platformat rajonale plotësojnë njëra-tjetrën.

Një nga nismat e reja është Pakti i Bedr-it, i nënshkruar më 21 tetor nga Turqia, Pakistani, Katari dhe Indonezia. Ai parashikon bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes dhe përfaqëson një model të ri bashkëpunimi në fushën e sigurisë.

Katër vendet, ranë dakord të zhvillojnë më tej projektet ekzistuese ushtarake përmes prodhimit të përbashkët, transferimit të teknologjisë dhe integrimit më të madh të zinxhirëve të furnizimit.

Pakti synon të përmbushë nevojat jo vetëm të shteteve anëtare, por edhe të vendeve mike që nuk janë pjesë e tij. Përmes projekteve të përbashkëta të prodhimit synohet të krijohet një treg më i gjerë.

Nëse kjo nismë rezulton e suksesshme, ajo do të ndihmojë në përmbushjen e nevojave të sigurisë së vendeve myslimane dhe në uljen e varësisë së tyre nga fuqitë e mëdha botërore.

Një tjetër nismë rajonale e prezantuar këtë vit është Katërshja Rajonale (R4). Ky mekanizëm konsultativ është një platformë joformale e krijuar nga Turqia, Egjipti, Pakistani dhe Arabia Saudite, me qëllim diskutimin e çështjeve rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe përmirësimin e koordinimit diplomatik mbi bazën e parimit të “pronësisë rajonale”.

Platforma e konsideron Izraelin si burimin kryesor të paqëndrueshmërisë në rajon dhe e sheh krijimin e një shteti palestinez si parakusht për sigurinë rajonale.

R4 shihet si një tregues i vullnetit të vendeve të rajonit për të zhvilluar konsultime më të strukturuara mbi çështjet e sigurisë dhe diplomacisë. Platforma funksionon përmes takimeve të ministrave të jashtëm të shteteve anëtare.

Katër vendet synojnë të krijojnë një bllok politik koheziv, brenda të cilit anëtarët të mbajnë qëndrime të përbashkëta për çështjet e politikës së jashtme dhe, kur është e mundur, të marrin vendime detyruese.

Që nga marsi i këtij viti, platforma ka zhvilluar shtatë takime ministrore. Takimi i shtatë i R4 u zhvillua javën e kaluar në Stamboll. Gjatë tij, përfaqësuesit e katër vendeve u takuan edhe me homologët e tyre nga katër shtete evropiane: Britania, Franca, Gjermania dhe Italia.

Takimi shërbeu si një mundësi për shkëmbimin e pikëpamjeve mes disa prej shteteve më me ndikim të Lindjes së Mesme dhe Evropës. Veçanërisht domethënës ishte fakti se Turqia u shfaq si pjesë e ekuilibrit të fuqisë në Lindjen e Mesme, dhe jo në kuadrin evropian.

Kjo është një pasojë e qartë e përjashtimit të Turqisë nga arkitektura e sigurisë dhe projektet e industrisë së mbrojtjes të Bashkimit Evropian. /tesheshi