Lirimi i brezit 700 MHz për teknologjinë 5G dështoi në 2022

Brezi 700MHz aktualisht është ende në përdorim nga operatorët e transmetimeve audiovizive.

Lirimi i brezit të frekuencave 700 MHz nga transmetimet audiovizive për t’iu kaluar operatorëve të komunikimeve elektronike ende nuk është kryer, megjithëse ka kaluar pothuajse një vit nga afati i fundit i vendosur për këtë qëllim.

Në vitin 2021, Këshilli i Ministrave pati miratuar Planin e Ri Kombëtar të Frekuencave, që sanksionon përfundimisht zgjerimin e spektrit që do të përdoret për internetin me brez të gjerë nga rrjetet e lëvizshme.

Sipas Planit të ri, brezi 700 MHz (694-790 MHz), duhet të kalonte përfundimisht nën administrimin e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) duke filluar nga 30 qershori 2022.

Mbështetur në dokumentin e Planit të veprimit për adoptimin e teknologjisë 5G në Shqipëri, përgatitur nga AKEP në bashkëpunim me kompaninë e konsulencës Jones Group International, brezi 700 MHz do të përdoret për zhvillimin e tenkologjisë 5G të komunikimeve celulare.

Por, lirimi i këtij procesi po rezulton një process i vështirë, përtej afateve dhe parashikimeve të vendosura.

Brezi 700MHz aktualisht është ende në përdorim nga operatorët e transmetimeve audiovizive.

Në raportin vjetor për Kuvendin të vitit 2022, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), pranon se vitin e kaluar nuk janë bërë përparime të rëndësishëm në këtë proces, duke nënvizuar se e lirimi i brezit 700 MHz (DD2) është një proces kompleks, i cili përfshin disa vendimmarrje në kuadrin ligjor, financiar, teknik i cili ngarkon me përgjegjësi jo vetëm AMA-n por një sërë aktorësh (të tillë si Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Finacave dhe Ekonomisë, Ministria e Drejtësisë, Autoriteti i Konkurrencës, AKEP, operatorët audioviziv kombëtar publik dhe privatë, etj), të cilët të gjithë së bashku duhet të kenë vullnetin e mirë për të nxitur dhe përshpejtuar arritjen e objektivit.

Për këtë qëllim, me urdhrin nr. 113, datë 20.07.2022 të Kryeministrit, është ngritur grupi ndërinstitucional i punës për lirimin e brezit digjital divident dy (DD2), i cili do të jetë përgjegjës për koordinimin e veprimtarive lidhur me lirimin e këtij brezi, si dhe për propozimin e të gjitha vendimmarrjeve të nevojshme tek organet kompetente për realizimin e tij.

Megjithatë, sipas AMA, ngritja e këtij grupi pune nuk ka dhënë ndonjë rezultat konkret vitin e kaluar dhe punimet e këtij grupi priten të zhvillohen gjatë vitit 2023. Shtrirja e komunikimeve celulare në brezin 700MHz pritet të jetë hallka më e rëndësishme drejt adoptimit të teknologjisë 5G, në kuptimin e administrimit të spektrit, sepse teknikisht, ky brez ofron mbulimin me rrjet të zonave më të gjera).

Bazuar në Vendimin e Parlamentit Europian të datës 17 maj 2017, vendet anëtare të BE duhet të lejojnë përdorimin e këtij brezi për ofrimin e shërbimeve broadband të komunikimeve elektronik broadband të lëvizshme. Ato mund të vonojnë lejimin e përdorimit të brezit të frekuencave 700MHz deri në dy vjet në bazë të arsyeve të justifikuara. Si vend kandidat për anëtarësim, Shqipëria është në shkelje të të gjitha afateve për kalimin e këtij brezi në përdorim të operatorëve të komunikimeve elektronike.

Gjenerata 5G është kufiri i ri teknologjik i komunikimeve të lëvizshme, që pritet të sjellë shpejtësi interneti shumë të larta se ato që ekzistuese. Vlerësohet se rrjetet 5G mund të ofrojnë shpejtësi maksimale interneti që tejkalojnë kufirin e 10 Gbps ose 10 herë më të larta krahasuar me versionet më të avancuara të teknologjisë 4G.

Mbulimi optimal me rrjetet e lëvizshme të internetit me brez të gjerë për Shqipërinë është i rëndësishëm, edhe për shkak se vendi ynë është ndër më të prapambeturit në Europë në mbulimin me rrjete fikse. Edhe për këtë arsye, interneti nga rrjetet e lëvzishme është një alternativë e dosmosdoshme për banorët e zonave periferike dhe rurale, tashmë që një pjesë e madhe e shërbimeve të ofruara nga sektori publik dhe ai privat po zhendosen gjithnjë e më shumë online.