Liverpooli zbeh gjasat për një vend në top-katërshe

Pas shtatë fitoreve radhazi, Liverpooli është ndalur me barazim nga Aston Villa në Premierligë, duke zbehur kështu gjasat për një vend në top-katërshe.

Ndeshja e zhvilluar sot në “Anfield” përfundoi me rezultatin 1:1.

Jacob Ramsey kaloi fillimisht mysafirët në epërsi në minutën e 27-të, teksa Roberto Firmino barazoi shifrat për vendasit në minutën e 89-të.

Vlen të theksohet se një gol i Cody Gakpos u anulua nga VAR-i për shkak të pozitës jashtë loje, teksa Ollie Watkins e humbi një penallti.

Kjo përballje i takoi javës së 37-të dhe të parafundit në elitën e futbollit anglez.

Liverpooli pas këtij barazimi ka 66 pikë në pozitën e pestë, tri më pak se Manchester United dhe Newcastle United, por me dy këto ekipe që kanë nga një ndeshje më pak se “Të Kuqtë”.

Aston Villa është e shtata në tabelë me 58 pikë.