“Loja e madhe” e një “sundimtari të padukshëm”

Kriza aktuale u ka shkaktuar shumë frikë dhe droje për gërryerjen e lirive civile. Ata nuk shqetësohen shumë për masat e përkohshme për shpëtimin e jetëve njerëzore, por për rrezikun që këto “masa të përkohshme” të mbeten “masa të përhershme”! Historia u ka treguar vazhdimisht se ata që sakrifikojnë lirinë për sigurinë – nuk do ta kenë asnjërën!

Hajrudin S. Muja

Më 9 korrik të vitit 2020, akademiku Dr. Ferid Muhiq pati botuar shkrimin “Nevidljivi vladar Covid-19 zapravo je instrumenat u rukama vidljivog, ali skrivenog vladara” [The Bosnia Times.com], ku pati parashikuar fillimin e një “loje të madhe” të historisë njerëzore, të një sundimtari të padukshëm të quajtur “Covid-19”, si një instrument në duar të një “sundimtari të dukshëm”, por të fshehur! Është një “zot i fshehur”, i cili në vend të “konceptit të shoqërisë si bashkësi të lirë individësh” synon të sjellë në skenë “konceptin e shteteve totalitare”, gjë që ka përndjekur imagjinatën e shumë filozofëve dhe shkrimtarëve të shquar të mijëvjeçarit të fundit, por që ka filluar të konceptohet teorikisht në vitet 1948-1974 dhe ka hyrë në fazën kritike të realizimit!

Është përpjekje për vendosjen e një regjimi global totalitar! Si provë për këtë, Muhiqi e konsideron bindjen e verbër e të pakushtëzuar si detyra më e madhe qytetare, në vend të të drejtave dhe lirive të mëparshme qytetare, një provë drejt vendosjes së “Rendit të Ri Botëror”, nga e cila kurrë nuk u hoq dorë! Në realizim të saj vendoset gjendja e jashtëzakonshme, izolimi dhe desocializimi, ndalohen tubimet, protestat dhe çdo rezistencë e organizuar ndaj autoriteteve, duke prezantuar idealin e një të binduri, pavarësisht çmimit që ka!

Idealet janë zëvendësuar nga frika për jetën: të qëndrosh gjallë është bërë çështje pushteti! Pushteti i padukshëm merr në mënyrë të padukshme të gjitha pushtetet, pa mbështetjen e popullit dhe pa pengesa institucionale. Ky pushtet, që mban në dorë Organizatën Botërore të Shëndetësisë, është në qendër të kapitalit financiar, kurse qeveritë e tjera veprojnë sipas udhëzimeve, për kënaqësinë e tyre dhe për përfitime personale. Në fund Muhiqi thotë se: “Qytetarët u kthyen në vetmitarë asketë, të mbyllur në shpellat e tyre. Por, jo më të udhëhequr nga vendimi i tyre i lirë, as nga dëshira e tyre për përvojën ekstatike të pafundësisë, por me urdhër, dekret, kërcënime me burg dhe, në vend të Zotit të Plotfuqishëm, ata tani i drejtojnë lutjet e tyre shtetit totalitar”!

Akademiku Muhiq dhe shumë të tjerë u referohen këtu dy veprave të psikologut Burrhus Frederic Skinner (1904-1990): “Walden Two” (Macmillan 1948) dhe “Beyond Freedom and Dignity ” [Përtej lirisë dhe dinjitetit (Cambridge 1971)], të cilat edhe pse të shkruara në formë romani (utopik), të zgjojnë kureshtjen dhe të bëjnë të mendosh e të ndjesh se nuk është thjeshtë një zhvillim ngjarjesh sikurse tek romanet e zakonshëm! Në “Walden Two”, ku protagonistët flasin për një refuzim të vullnetit të lirë, diskutimi sillet rreth aplikimeve sociale dhe edukative të “teorisë së sjelljes”, ku përshkruhet një komunitet eksperimental, në të cilin mund të përdoren maksimalisht “teknikat psikologjike” për të promovuar “mirëqenien njerëzore”dhe për të siguruar kushte optimale për eksperimentim. Për këtë i nevojitet “një teknologji e sjelljes njerëzore” dhe “modelet mekanike të veprimit njerëzor”!

Në vija të trasha, Skinner-i propozon ridizajnimin e shoqërisë, parimet e së cilës i shpjegon më pas në “Beyond Freedom and Dignity”, ku argumenton se besimi i rrënjosur në vullnetin e lirë dhe autonomia morale e individit, që ai e quan “dinjitet”, e pengon mundësinë e përdorimit të metodave shkencore, për të modifikuar sjelljen, me qëllim të ndërtimit “të një shoqërie më të lumtur dhe më të organizuar” dhe këtë ndërmjet “dinjitetit” dhe “ndëshkimit”. Dinjiteti mendon se është një nocion i rremë i shkakut të brendshëm, që “heq si meritën për veprimin ashtu edhe fajin për keqbërjet”, që ta mbajë përherë në “zero”. Njëra nga këto mund të jetë kredia në funksion të kontrollit, përmes së cilës individi ndëshkohet dhe robërohet me mendimin se po e bën për të mirën e tij!

Shumë studiues, përfshirë edhe akademikun Muhiq, “Walden Two” e konsiderojnë si një lloj kundërvështrimi polemik me librin “Walden” ose “Jeta në pyll” (New York 1854) të autorit Henry David Thoreau (1817-1862) në lidhje me përvojat e tij eksperimentale përgjatë dy viteve, dy muajve dhe dy ditëve (4 korrik 1845 – 6 shtator 1847) në një kasolle që ai ndërtoi pranë “Walden Pond” [Massachusetts], ku provoj të bënte një jetë të thjeshtë pa lukse të tepërta dhe në kushte rrënjësisht të reduktuara. Është një reflektim mbi mosbindjen civile, jetën e thjeshtë në një mjedis natyror të pavarësisë personale, eksperimentit social, udhëtimit drejt zbulimeve shpirtërore ose, më saktë, një manual për mbështetjen në vetvete.

Derisa “Walden” përjashton konceptin e “mosbindjes civile” si një e drejtë primare demokratike, “Walden Two”, që posedon “Bordin Planifikues” të një ”qeverie të vetme” si një qendër nga ku dalin projekte të mëdha, përjashton çdo justifikim të mosbindjes dhe shpall ideale “bindjen civile” për arritje kolektive! Gjashtë planifikues përbëjnë “bordin” dhe janë të ngarkuar me suksesin e komunitetit. Ata bëjnë politikën, rishikojnë punën e menaxhuesve dhe mbajnë një sy në gjendjen e kombit në përgjithësi. Shkencëtarët, që janë grupi më së paku i përmendur, kryejnë eksperimente mbi kontrollin e sjelljes së fëmijëve, veçanërisht në proceset edukative. Disa nga këto zakone të “bordit” nënkuptojnë që fëmijët të rriten në mënyrë të përbashkët, familjet të jenë jobërthamore, dashuria e lirë të jetë normë dhe shprehjet personale të falënderimit të jenë tabu!

Konstatimi i Skinnerit se njerëzit janë makina që nuk mendojnë është në pajtim me Dekartin se ato “reagojnë vetëm ndaj rrethanave të jashtme” dhe prandaj është e mundur të drejtohet dhe të kontrollohet sjellja e tyre në të gjitha format kolektive dhe individuale, që shpie deri në vendosjen e një regjimi global totalitar!

Ndonëse qarqet më të larta politike e pritën me entuziazëm dhe prej atëherë njihet si “Bibla e Politikës Ndërkombëtare e SHBA-së”, praktikat e përshkruara ishin shqetësuese për shoqërinë intelektuale dhe popullore amerikane të viteve të 1940-ta [Hocutt: 1977; Rouse: 2002; Zuriff: 1987]. Intelektualët i kategorizuan në rëngun e ushtrimeve despotike për manipulimin e mendjes. Kritiku Harvey L. Gamble, Jr. përshembull, mendonte se teza e Skinnerit është që “tiparet individuale të formohen nga lartë, nga forcat shoqërore që krijojnë mjedisin”, kurse qëllimi i tij “të krijojë një shoqëri individësh të socializuar për të funksionuar me të tjerët si një njësi dhe për të formuar një komunitet të kontrolluar” [Texas Studies in Literature and Language”, #41/1999, f. 3]. Disa të tjerë, madje, e kanë klasifikuar në kategorinë e asaj që përfshin inxhinierinë e sjelljes dhe manipulimin e mendjes [Matson: 1971], që mund “të ndryshojë natyrën e qytetërimit perëndimor në mënyrë më katastrofike sesa fizikanët bërthamorë dhe biokimistët së bashku” [Jessup: 1948, f. 192].

Skinner-i u kritikua edhe në librin “The New Behaviorism” [Philadelphia 2014], ku autori John Staddon e krahasoj me “Brave New World” (1931) të Aldous Huxley-t dhe “1984” (1949) të George Orwell-it. Por, ndërsa romanet e Orwell-it dhe Huxley-t janë të dy distopi që flasin për pasojat e liga të përpjekjeve shtrënguese përmes qasjeve teknologjike, Skinner-i supozon ta ndriçojë rrugën teknologjike drejt utopisë. Propozimi i tij ndjek filozofinë platonike të monarkut ligjvënës dhe grupit të kujdestarëve si një kast i ndarë. Janë ato që duhet ta rregullojnë ushqimin, punën, arsimin dhe gjumin, ata që vendosin agjendën morale dhe ekonomike, sepse ato janë “më të mençurit” që duhet ta sundojnë dhe ta ndryshojnë botën.

Për shumë studiues, që ndjekin deklaratat e njerëzve “të mëdhenj” të botës të sotme, të grupeve që posedojnë kapitalin dhe të politikanëve që janë ushtarët e tyre, nuk është aq “ekuacion” i vështirë që të shohin se ndryshimi ka filluar, por presim të shohin nëse të panjohurat e këtij “ekuacioni” do të ecin me ritëm të shpejtë apo të ngaltë!? Ata e kanë të qartë se shkenca është një metodë për të treguar të vërtetën për botën fizike, mënyrat për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe për të njohur më mirë botën ku jetojmë. Mjekësia, në kuadër të saj, është si një “hallkë” e sistemit aktual botëror, e bazuar mbi përvojat dhe kërkimet shkencore, që ka në dorë metodat e ruajtjes së shëndetit njerëzor dhe mundësinë për parandalimin ose trajtimin e një sërë sëmundjesh me një teknikë të avancuar. Kjo është një e vërtetë e njohur për të gjithë, por kush mund ta mohojë se këto “resurse” janё tё lidhura ngushtë me industrinё dhe pёrfitimet financiare të shumë grupeve të interesit!

Ata mund të dyshojnë se edhe shkenca u korruptua për të lejuar “lojën e madhe” të idesë së Skinner-it, duke përgatitur terrenin me rezultatin e trazirave ekonomike që i ka futur në një rrëmujë të furishme zinxhirët globalë të furnizimit, tregjet e aksioneve, industrinë ajrore, tregjet e naftës dhe bankën qendrore [Int Rev Financial Analysis, 2020]. Investimet në kërkime shkencore ka kohë që janë reduktuar dukshëm. Në dekadën e fundit, financimi për Institutin Kombëtar të Shëndetit të SHBA-së [NIH] ka rënë në mënyrë të vazhdueshme, duke humbur rreth 20% të kapacitetit të financues për shkak të shkurtimeve buxhetore, sekuestrimit dhe ndikimit të inflacionit [Science, #367/2020]. Në Australi, investimet e qeverisë në kërkim dhe zhvillim ishin të nivelin më të ulët në katër dekadat e fundit [Nature, #25/2018]. Në Europë, një program gjigand kërkimor i 28 vendeve anëtare ka stagnuar në një disavantazh të dukshëm!

Sot të gjitha demokracitë perëndimore po ecin në të njëjtin drejtim dhe ekonomia globale po përballet me kriza serioze. Recesioni global është më i thelli nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Në një moment më shumë se 80 vende i mbyllën kufijtë e tyre dhe urdhëruan bizneset të mbylleshin, duke detyruar popullsinë të vetë-karantinoheshin dhe e ndërprenë shkollën për rreth 1.5 miliardë fëmijë [The Economist, 17.03.2020]. Organizata Ndërkombëtare e Punës [ILO] publikoi në janar 2021 një raport ku vlerësoi se 93% e punëtorëve të botës punonin në një formë të kufizuar ose nuk punonin fare. Ajo vlerësoi gjithashtu 5.3% humbje globale të të ardhurave të punëtorëve vetëm në tremujorin e dytë të 2021-tës, duke parashikuar njëkohësisht një rënie për 75 milionë vende pune në vitin 2021 dhe 25 milionë për vitin 2022, krahasuar me numrin të vendeve të punës që ishin parashikuar të krijoheshin në mungesë të pandemisë[International Labor Organization, Qershor 2021].Në këtë mënyrë është rritur varfëria e atyre që kanë qenë të varfër dhe e atyre që kanë mbetur pa punë!

Në tetor 2021, “International Monetary Fund” publikoj të dhënat që tregojnë për një rënie globale ekonomike prej -3.2% (f. 6), përkatësisht rreth 87.55 trilionë dollarë, kjo sipas FMN-së (8.06.2021). UNCATED-i [30.06.2021] vetëm për sektorin e turizmit ndërkombëtar ka raportuar një humbje globale prej rreth 4 trilionë dollarësh për 2020-2021. Por, më shqetësuesja është se njerëzit po pёrballen me humbjen e gjithçkaje të vlefshme dhe të mirëqenë në jetët e tyre. U humbёn kontaktet sociale, kontaktet fizike, u humb siguria, perspektiva pёr tё ardhmen, planet, projeksionet, humbёn liritё dhe iluzionet tё cilat i lejonte jeta e pёrditshme pa u tkurrur nga frika e sё panjohurёs, e sё ardhmes dhe frika e kufizimeve të tyre. Sepse, arritja më e madhe e njerëzimit në 300 vitet e fundit nuk është shkenca, mjekësia ose teknologjia. Nuk janë aeroplanë, interneti, antibiotikët, energjia elektrike dhe as interneti. Është lindja e demokracisë dhe e të drejtave të njeriut. Prandaj pikërisht humbja e këtyre është tepër shqetësuese!

Kriza aktuale ka shkaktuar shumë frikë dhe droje për gërryerjen e lirive civile. Ata nuk shqetësohen shumë për masat e përkohshme për shpëtimin e jetëve njerëzore, por për rrezikun që këto “masa të përkohshme” të mbeten “masa të përhershme”! Historia u ka treguar vazhdimisht se ata që sakrifikojnë lirinë për sigurinë – nuk do ta kenë asnjërën! Frika tek ata qëndron virusi më i rrezikshëm, sepse në kushte të këtilla edhe njerëzit sjellshëm kthehen kundër njëri-tjetrit! Etërit themelues të Amerikës ishin shumë të vetëdijshëm për këto realitete dhe prandaj pohuan: “Më jep lirinë ose më jep vdekjen”, sepse ata e dinin se pa liri, siguria është një premtim bosh. Po kështu edhe ish kryetari Regan, në një fjalim të mbajtur, pati thënë: “Juve dhe mua na thuhet gjithnjë e më shumë se duhet të zgjedhim midis të majtës apo të djathtës. Epo, unë do të doja t’u sugjeroja se nuk ka gjë të tillë si të majtë apo të djathtë. Ekziston vetëm … e fundit në lirinë individuale në përputhje me ligjin dhe rendin, ose deri te një pëlhurë milingonash drejtë totalitarizmit… ata që do ta shkëmbejnë lirinë për sigurinë vetëm se kanë hyrë drejtë kësaj rruge” [Washington Times, 11.05.2020].

Sot nuk jetojnë më prej atyre që e mbajnë mend kohën e Hitlerit, kur në vitin 1933, për shkak të kushteve të rënda ekonomike dhe kërcënimit të fuqisë së jashtme armiqësore, arriti të bindë popullin gjerman që të braktiste të drejtat e tyre demokratike në favor të një diktature. Pas 11 shtatorit 2001, kur George Bushi i kërkoj gjykatës përgjimin e amerikanëve “për sigurinë e tyre”, u vendos “The Patriot Act”, që ishte shkelja më e madhe e të drejtave në privatësinë historike të Amerikës. Pas 12 vjetësh Edward Snowden-i arriti ta zbulojë spiunazhin që NSA u bënte qytetarëve amerikanë pa asnjë urdhër përmes regjistrimeve telefonike nga kompanitë e komunikimit digjital për “qëllime të sigurisë kombëtare”! Falë sakrificës së Snowden-it, qeveria amerikane u detyrua ta anulonte shumicën e këtyre programeve.

Por, nuk janë të paktë njerëzit e niveleve të ndryshme, të cilët situatën në të cilën gjendemi e kanë kuptuar si një provë të radhës për realizimin e idesë së Skinner-it. Madje, edhe sot, kur gjendja duket se po shkon drejt “normalizimit”, ata e konsiderojnë si një qetësi para stuhie, që është reagim i egër kundër çdo kundërshtari të mundshëm që përpiqet t’ua prishë planet “të mëdhenjve”. Dhe, është e natyrshme që njerëzit të dyshojnë për çështjet që nuk janë të qartësuara, enigmatike, të ndërlikuara, të pashpjeguara si duhet. Prandaj të marrësh një anë “pro” ose “kundër”, pa pasur njohuri për të, është e gabuar. Ata mundohen dhe kanë tendencё tё merren me “parashikimin” e sё ardhmes, një nga kurthet e zakonshme që të inkurajon të humbasish kontaktin me tё tashmen, me atë që i ka gjërat më të thjeshta, mё tё vogla dhe mё tё zgjidhshme. Atyre nuk u bën përshtypje arsyetimi i anës së shumicës, sepse jo një herë ka ngjarë në histori që pakica të ketë të drejtë kundrejt shumicës. Sa shkencëtarë u dogjën në turra drush për pikëpamjet e tyre, të cilat koha i dëshmoi se ishin të vërteta?!

Psikiatria e famshme amerikane, Dr. Kelly Bogdan, e cila u bë e famshme me botimin e librit “A Mind of Your Own” [New York 2018] është kthyer në një mohuese të virusit dhe ka dhënë paralajmërime të ashpra për një “agjendë globale” të një “krize të prodhuar”, që ka ushqyer përkrahësit e teorive të konspiracionit. Personalitete të tilla kanë ndikuar në zgjërimin e ideve të tilla! Një sondazh i bërë në Universitetin Erfurt të Gjermanisë ka gjetur rreth 17% të gjermanëve që besojnë në mundësinë e teorive të ndryshme se Covid-19 “është shpikur nga qarqe ose njerëz të caktuar, kjo për qëllime të caktuara”.

Ngjashëm me Znj. Bogdan është edhe dr. Andrew Kaufman, një mjek që është larguar nga profesioni dhe që jeton në New York. Ai mohon të ketë një virus të tillë dhe drejton demonstratat publike duke u thënë njerëzve se “gjithçkaqë ata dinë për mjekësinë është e gabuar”. Ai i ka quajtur izolimet si një formë të “arrestit shtëpiak” përmes “ligjeve ushtarake” për t’ua hequr njerëzve të drejtën e tubimeve në praktikat fetare. Ai ka pohuar gjithashtu se vaksinat janë “shiringa të helmatisura”, kurse maskat janë të vogla për të parandaluar virusin, por të mëdha për të reduktuar ndjeshëm furnizimin tuaj me oksigjen. Maskat – thotë ai: “janë për njerëzit e pandershëm, për ata që fshehin diçka, për ata që ushtrojnë profesionin e hajdutit”. Ai u pajtua plotësisht me të ftuarin e tij David Icke, i cili beson se pas të gjithë kësaj po qëndrojnë “alienët zvarranikë, hibridë njerëzorë të cilët po drejtojnë fshehurazi botën”!

Shiva Ayyadurai, një politikan dhe bio-inxhinier amerikan i diplomuar në “Massachusetts Institute of Technology” të Bostonit, ka lansuar një video me qindra mijë shpërndarje dhe me miliona shikime, ku bën akuza të fuqishme se pandemia po përdoret nga disa elementë për të arritur kontrollin mbi njerëzit: “Përhapja e frikës së koronavirusit do të kujtohet në histori si një nga mashtrimet më të mëdha për të manipuluar ekonomitë, për të shtypur mendimin ndryshe dhe për të detyruar mandatimin e disa ilaçeve” . Një video e ngjashme u lansua në Francë dhe ‘çmendi’ fansat e konspiracionit në rrjetet sociale, duke u shpërndarë edhe nga individë të njohur, me qëllim që “të ndërgjegjësojë dhe të informojë njerëzit për atë çka po ndodh pas shpinës së tyre”. Njëri nga producentët e këtij dokumentari – Christophe Cossé, thotë se ky “është një plan i kalkuluar me shumë kujdes”, një plan të cilin sociologia Monique Pinçon-Charlot e ka vlerësuar si një “luftë e tretë botërore që synon zhdukjen e pjesës më të varfër të njerëzimit”. Avokati Reiner Fuellmich, bashkë me mijëra avokatë të tjerë dhe dhjetëra mijë mjekë, kanë dërguar padi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Kundër Njerëzimit në Nuremberg të Gjermanisë.

Ndërsa bota po përpiqet ta thyejë kontrollin e Covid-19, psikologët dhe ekspertët e dezinformimit po studiojnë se pse pandemia shkaktoi kaq shumë “teori konspirative”, të cilat i kanë bërë njerëzit të shmangin maskat, distancimin shoqëror dhe të refuzojnë vaksinat. Në një ditë të janarit aktivistët kundër vaksinave detyruan një klinikë vaksinash në stadiumin “Dodger” në Los Angeles të mbyllet. Në Evropë, dhjetëra kulla celulare u dogjën për shkak të pretendimeve të çuditshme se sinjalet me valë 5G po shkaktonin infektimin. Një mosbesim i përbashkët në institucionet amerikane ka ndihmuar në përhapjen e këtyre teorive. Të mërzitur për bllokimet dhe mandatet e maskave, aktivistë kundër vaksinave kanë shprehur besimin e tyre se: “Trumpi po bën një luftë të fshehtë kundër një grupi të fuqishëm kanibalësh satanikë”! Një burrë i këtij grupi, madje, dha një deklaratë se “pandemia u krijua nga qeveria kineze dhe demokratët për të dëmtuar ofertën e rizgjedhjes së Trumpit”. Vetë Trumpi, në deklaratat e veta, e minimizoi kërcënimin e virusit, duke minuar vetë ekspertët e administratës së tij. Në kohën kur qeveria vendosi ta bëjë obligative vendosjen e maskave, Trumpi tha: “unë vetë nuk do ta vendosë” dhe se “numrat e raportuara të vdekjeve nga Covid-19 janë të ekzagjeruar” [Scientific American, 12.10.2020]!

Në prill 2020 studentët në Universitetin e Floridës shprehën shqetësimin që gazetarëve nuk u lejohej të flisnin me stafin në spitalet publike dhe kështu ata nuk ishin në gjendje ose nuk donin t’i tregonin publikut se çfarë po ndodhë në të vërtetë! Gjetjet kanë implikime jo vetëm për përgjigjen ndaj pandemisë, por edhe për “infodeminë” e radhës, një term i përdorur për të përshkruar krizën e dezinformimit të Covid-19. Kur njerëzit besojnë në “faktet” e tyre dhe refuzojnë çdo gjë që thotë pala tjetër, ne jemi në telashe të vërtetë: “Njerëzit kanë nevojë për shpjegime të mëdha logjike për problemet e mëdha, për ngjarjet e mëdha botërore”, shkroi John Cook, një shkencëtar dhe njohës i teorisë së konspiracionit në Universitetin Monash të Australisë.

Ata nuk e kanë të lehtë t’i pranojnë për logjike tezat e përsëritura që shtetet e pazhvilluara e, madje, edhe ato më totalitaret me sistem të çrregulluar e të dobët shëndetësorë, e kanë kaluar këtë “taksirat” me më pak humbje se shtetet e zhvilluara me sistem të tillë të avancuar!? Nuk mund ta kuptojnë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme të izolimit 24-orësh në qytetin e Mekës dhe të Medinës, përkundër qytetit të Xhides, që mbetet i lirë!? As që mund t’i kuptojnë izolimet e njerëzve pas orës 22:00 (kur të gjithë flenë), kur mbeten të lirë në orët më të frekuentuara!?

Këta “konspiracionistë” kanë problem edhe me të dhënat e viktimave. Një portal zyrtar ka publikuar të dhëna historike të shkallës së vdekjeve në botë nga viti 1950 deri në vitin 2020. Në tabelën e paraqitur, shkalla globale e vdekjeve për vitin 2020 ka qenë 7.61 në 1.000 banorë, një normë pak më e lartë se ajo e viteve 2016-2019, por më e ulët se e viteve 1950-2015. Shkaktare për shkallën më e lartë të vdekjeve globale për vitin 2020 është komentuar të jetë “pandemia vdekjeprurëse” dhe ajo po përdoret si “taktikë frike”.

Por, kur ata ndjekin të dhënat zyrtare të OKB-së për popullatën botërore, shohin se në vitin 1950 kishte 2.5 miliardë, ndërkohë që në vitin 2020 afërsisht dy herë më shumë, më saktësisht 7,9 miliardë dhe paralelizojnë pastaj rritjen e plakjes së popullsisë! Natyrisht, që në rrethana të këtilla edhe numri i vdekjeve duhej të ishte më i lartë. Vrasësin më të madh në botë gjejnë në sëmundjen ishemike të zemrës, përgjegjëse për 16% të vdekjeve totale, përkatësisht për 8.9 milionë. Vrasësi i dytë është goditja në tru shkaktare për 11% të vdekjeve totale, kurse në rangun e tretë qëndron sëmundja pulmonare obstruktive shkaktare për 6% e totalit të vdekjeve. Duke ndjekur të dhëna të ndryshme zyrtare, mësojnë se shkaktare të 11 milionë vdekjeve vjetore është mungesa ose ushqimi i dobët, të 5.4 milionëve pirja e duhanit, të 3.2 milionëve mos-aktiviteti fizik, 3 milionë nga alkooli, etj. Nga ana tjetër, edhe pse mënyra e llogaritjes së vdekjeve si pasojë e “Covid-19” nuk është qartësuar sa duhet në mungesë të ekspertizave, të dhënat shpesh kanë qenë të dyshimta, joidentike dhe jo të qëndrueshme. “Covid-19” ka qenë në vendin e katërt të vdekjeve globale, përkatësisht “një në njëzet vdekje” nga fillimi i vitit 2020.

Njerëzit ndjejnë dhimbje, trishtim, zbrazëti nga humbjet që përjetojnë e që ka prekur jetët e tyre, por kështu ka qenë dje, kështu do të jetë edhe nesër, sepse njeriu u krijua për t’u shpërngulur nga jo botë: “Çdo njeri do ta shijojë vdekjen” [Al-Imran: 185]. Ata e kanë kuptuar se pas çdo vdekjeje qëndron një “shkak”, por nuk mund ta kuptojnë atë që e kanë emërtuar si “vaksina për parandalimin e vdekjes”?!

“Ne duhet të mësojmë për atë që ka ndodhur, në mënyrë që të parandalojmë një ndodhi tjetër”, tha Richard Carmona, një ish-kirurg amerikan që shërbeu si gjeneral në administratën e George W. Bush. Njerëzit kundërshtojnë marrjen e vaksinave sepse në situatën që ndodhemi ata janë të hutuar dhe nuk dinë kujt t’i besojnë. Vetë presioni politik dhe detyrimi ligjorë për t’u vaksinuar, madje edhe kundrejt një shpërblimi prej $500, i ka lënë të dyshojnë se gjërat nuk janë ashtu si duken. Detyrimin e vaksinimit në shkëmbim të pezullimit të lirive civile dhe të së drejtës për lëvizje dhe punë, për sa kohë që ajo nuk parandalon përhapjen e virusit, e konsiderojnë si një udhë drejt veprimeve totalitare!

Nuk është në mundësinë as qëllimin tim të ndajë këtu nëse e gjithë kjo është një kërcënim serioz për njerëzimin, një teori konspirative ose vetë konspiracioni?! Nuk është as në aftësitë e mia të pohoj ose të mohoj ato që po na serohen. Unë, thjesht, po përpiqem ta gjej argumentin. Jo gjithçka që ne nuk kuptojmë është teori konspirative dhe jo çdo gjë që ne nuk e dimë “nuk ekziston”. Nuk është turp të mos dish. Turp është të mos duash të mësosh.

I ndjeri Muamer Zukorliq (rahmet pastë) pat thënë një herë se “një intelektual që aq lehtë pranon atë që i servohet popullatës nuk është intelektual; ai duhet ta ruaj dhe ta shprehë mendimin e lirë pëmes argumentit edhe në kohën kur të gjithë sunduesit, shtetarët dhe shkencëtarët të thonë ndryshe”. Me fjalë tjera, refuzimi i argumentit është fillimi i robërisë. Kërkuesit e argumentit janë të paktë dhe “të përqeshur, por nëse kanë ose nuk kanë të drejtë nuk gjykojmë ne. Koha do ta dëshmojë.

* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të portalit tonë *