Një sfidë e vështirë dhe plot dilema e kohës që po jetojmë
Pikërisht në momentin kur diplomacia dukej se po afrohej drejt një marrëveshjeje të brishtë, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndërmorën një sulm të njëanshëm ndaj Iranit, duke e zhvendosur rajonin nga negociatat e tensionuara në një përplasje të hapur. Objektivat përfshinë infrastrukturë strategjike dhe qendra vendimmarrjeje në Teheran. Ajo që deri dje ishte presion diplomatik, sot u shndërrua në realitet ushtarak.
Raportimet për goditjen e niveleve më të larta të lidershipit iranian u konfirmuan më pas. Presidenti Trump njoftoi vrasjen e liderit suprem të Iranit, Khamenei, si dhe të dhjetëra komandantëve dhe drejtuesve të lartë shtetërorë. Kjo nuk ishte thjesht një goditje taktike; ishte një akt i pastër lufte. Synimi nuk ishte vetëm dobësimi ushtarak i Iranit, por prekja e vetë bërthamës drejtuese të regjimit — një përpjekje për të riformatuar ekuilibrat rajonalë dhe për të imponuar një realitet të ri strategjik në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, për ta kuptuar thellësinë e kësaj përplasjeje, duhet parë përtej dimensionit ushtarak. Konflikti ka një shtresë ideologjike që e bën më të vështirë menaxhimin e tij. Irani mbetet i ndërtuar mbi doktrinën e shiizmit politik revolucionar, ndërsa në Izrael dinamika e brendshme politike — ku forcat nacionaliste veprojnë në aleancë me segmente të së djathtës ekstreme —, e shoqëruar me krimet e kryera në Gaza dhe me retorikën e tyre “nga Nili në Eufrat”, ka humbur besimin e shumë popujve dhe është bërë objekt i hapur i Gjykatës Penale të Hagës. Shteti i Izraelit ka mbështetje të plotë nga administrata Trump, por njëkohësisht edhe nga segmente evangjeliste në SHBA, që e interpretojnë konfliktin edhe në terma fetarë.
Historia ka treguar se kur doktrina fetare ndërthuret me politikën, ajo prodhon konflikte marramendëse — atë që teoricienët e kanë quajtur “përplasje qytetërimesh” — dhe në atë moment hapësira për kompromis ngushtohet, ndërsa përplasja rrezikon të marrë karakter ekzistencial.
Në këtë klimë të tensionuar, kundërpërgjigjja iraniane ishte e ashpër dhe e shtrirë në disa fronte njëkohësisht. U goditën vende të Gjirit Arab me karakter suni, baza ushtarake perëndimore dhe objekte energjetike strategjike si Aramco, porti i Dukmit apo qytete të gazit në Katar dhe në Abu Dhabi. Irani bllokoi edhe Ngushticën e Hormuzit, duke e zhvendosur menjëherë krizën nga një konflikt rajonal në një nyje të sigurisë globale.
Sepse Hormuzi nuk është thjesht një pikë në hartë. Ai është arteria përmes së cilës kalon një pjesë e konsiderueshme e energjisë botërore. Ndërsa lufta në Ukrainë ka riformësuar arkitekturën e sigurisë evropiane, një përshkallëzim në Gjirin Persik do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin energjetik dhe financiar global. Evropa, ende në proces rikuperimi nga tronditjet e viteve të fundit, do ta ndiente menjëherë çdo ndërprerje furnizimi apo rritje të menjëhershme të çmimeve. Kështu, një krizë rajonale do të përkthehej shpejt në presion ekonomik, social dhe politik në kryeqytetet evropiane.
Pikërisht për këtë arsye, për Bashkimin Evropian kjo situatë nuk është periferike. Ajo prek sigurinë energjetike, kohezionin ekonomik dhe kredibilitetin e diplomacisë shumëpalëshe. Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Italia po përpiqen të negociojnë, por janë gjithnjë e më afër rreshtimit me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin në një strategji që synon dobësimin apo rrëzimin e regjimit iranian. Kjo tregon se rendi ndërkombëtar nuk po funksionon më mbi logjikën e ndërmjetësimit, por mbi kalkulimin e forcës.
Në këtë kontekst duhet parë edhe pozicioni i Shqipërisë. Ajo ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe, pas zhvillimeve të fundit, Tirana u rreshtua ndër vendet e para hapur me SHBA-në dhe Izraelin. Por, ndryshe nga Kosova, ku u mblodh Këshilli i Sigurisë, në Shqipëri ky ishte një vendim i vetëm, i marrë vullnetarisht nga Kryeministri. Në mendimin tim, vendime të tilla duhet të kenë karakter konsensual kombëtar, sepse përfshijnë jo vetëm politikën e jashtme, por edhe sigurinë afatgjatë të vendit.
Katër elemente për Shqipërinë mbeten të qarta:
Së pari, Irani ka ushtruar ndikim përmes aktorëve të lidhur me të në Liban, Jemen, Irak dhe Siri, duke u përfshirë në konflikte me karakter sektar. Në fakt, Irani nuk ka qenë i vetmi; problemi i ndarjes suni-shiite dhe shfrytëzimi i kësaj ndarjeje ka qenë i qartë në gjeopolitikën ndërkombëtare.
Së dyti, Irani e konsideron Shqipërinë si “shejtanin e vogël” për shkak të strehimit të anëtarëve të MEK-ut, të pranuar nga forcat kryesore politike shqiptare, çka ka çuar në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike dhe në perceptimin reciprok si kundërshtarë të mundshëm.
Së treti, sulmet kibernetike ndaj institucioneve shqiptare kanë qenë reale dhe kanë ekspozuar vendin në një front të ri sigurie, si rrallëherë në historinë e dekadës së fundit të shtetit shqiptar.
Dhe së katërti, konflikti aktual është një ndërthurje e rrezikshme mes gjeopolitikës dhe fesë. Ndërkohë, duhet të kuptojmë se me goditjen e bazave angleze në Qipro, edhe Shqipëria perceptohet nga analistët si e ekspozuar, megjithëse aktualisht shihet si larg një sulmi të drejtpërdrejtë nga regjimi iranian. Megjithatë, kjo mund të ndodhë, siç thotë eksperti Ilir Kulla, në rast të vijimit të një lufte frontale.
Në fund, kjo përballje nuk ka një vijë të qartë fronti. Ajo zhvillohet në ajër, në det, në hapësirën kibernetike dhe në tregjet energjetike. Tashmë rendi ndërkombëtar është i fragmentizuar; ai po e humb pak nga pak legjitimitetin e tij dhe jemi përballë një rendi të ri botëror. Diplomacia po zëvendësohet nga veprimi i njëanshëm; përmbajtja strategjike dhe de-përshkallëzimi nuk janë më opsione — janë domosdoshmëri globale.
Sepse konfliktet që zgjerojnë kufijtë e tyre për arsye sigurie, të ndërthurura me politikë, etni dhe fe, rrallë tkurren vetë. Dhe Evropa duhet të marrë rolin e duhur në ndërmjetësim, sepse ajo e di më mirë se kushdo se çmimi i dështimit diplomatik paguhet gjithmonë më shtrenjtë.








