Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se kërkesa e Prokurorisë Speciale në Hagë për dënimin me nga 45-vjet burgim për ish-krerët e UÇK-së është ndërhyrje politike “në regjistrin e kujtesës dhe të historisë”.
Sipas LVV-së UÇK ka bërë luftë çlirimtare dhe se krimet në Kosovë janë kryer nga Serbia.
“Kërkesa e Prokurorisë Speciale për dënime prej 45 vjetësh për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është një kërkesë neutrale drejtësie, por një ndërhyrje politike në regjistrin e kujtesës dhe të historisë. Këtu nuk po gjykohen individë të shkëputur nga konteksti, por po tentohet të gjykohet vetë akti i çlirimit. Ky është një proces që e zhvendos vëmendjen nga agresori te viktima dhe e paraqet rezistencën ndaj okupimit si krim, ndërsa okupimin si sfond të heshtur”, thuhet në reagimin e LVV-së.
Kjo parti ka thënë se Gjykata Speciale po e trajton rezistencën ndaj okupatorit si projekt kriminal.
“Pretendimi se “shënjestrimi” paskësh qenë produkt i një fushëveprimi të gjerë të komanduar nga drejtues të UÇK-së është një operacion diskursiv që synon ta zëvendësojë kontekstin politik të luftës me një skemë penale abstrakte: hierarki, urdhër, përgjegjësi. Kjo logjikë e shkëput dhunën nga okupimi dhe e trajton rezistencën si projekt kriminal të organizuar, duke e zhvendosur konfliktin nga raporti real agresor–i shtypur në një narrativë teknike të fajit individual. Duke pretenduar se dënon “persona konkretë”, Prokuroria në fakt synon ta dënojë kuptimin kolektiv të çlirimit, ta depolitizojë luftën dhe ta shndërrojë emancipimin liridashës në krim të përhershëm që “nuk vjetrohet kurrë”. Kjo është përpjekje për ta ngrirë historinë në një aktakuzë, ku krimet e një shteti gjenocidal pushtues relativizohen, ndërsa rezistenca e të përjashtuarve e të shtypurve kriminalizohet si kërcënim ndaj regjimit e rendit që kanë prodhuar dhunën”, thuhet ndër të tjera.






