Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se ka zhvilluar një bisedë me homologun iranian, Masoud Pezeshkian, ku i ka bërë thirrje që “të rikthehet sa më shpejt në tryezën e negociatave për të arritur një marrëveshje” lidhur me programin bërthamor të Iranit.
Në një postim në rrjetin X, Macron theksoi se negociata është “rruga e vetme e qëndrueshme për uljen e tensioneve”.
“Programi bërthamor i Iranit është një shqetësim serioz dhe duhet të zgjidhet përmes negociatave,” tha ai.
Në dritën e “rrezikut serioz” për destabilizim rajonal, Macron tha se kishte kërkuar që qytetarët francezë dhe objektet diplomatike në Iran të mos bëhen shënjestër dhe u bëri thirrje palëve për “përmbajtje maksimale për të shmangur përshkallëzimin”.
Ai gjithashtu ka kërkuar lirimin e dy shtetasve francezë, Cécile Kohler dhe Jacques Paris, të cilët sipas tij janë “mbajtur peng nga regjimi iranian në kushte të papranueshme për më shumë se tre vjet”. /mesazhi








