Maduro: Zoti e ruajttë Turqinë, mirënjohës Erdoğanit

Nicolas Maduro

Për presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, nuk mund të harrohet ndihma e Turqisë në kohërat më të vështira të vendit të tij.

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, tha se Presidentin Erdoğan e shohin si një vëlla të vendit të tyre.

“Populli turk duhet ta dijë se e duam shumë Erdoğanin sepse ai është dashamirës dhe me zemër të madhe. Erdoğan në vitet tona më të vështira, kur ne ndodheshim duke përjetuar kushtet më të këqija ka qenë gjithmonë pranë Venezuelës. Ka zgjatur dorën e tij të dashurisë dhe dashamirësisë për vendin tonë. Përshëndetje popullit turk dhe Erdoğanit”, kështu u shpreh Maduro.

Ai priti në pallatin Miraflores, ministrin turk të Tregtisë, Mehmet Muş, dhe delegacionin turk si dhe bëri deklarata pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit nga Bordi i Marrëdhënieve të Jashtme Ekonomike (DEIK) i Turqisë dhe Qendrës Ndërkombëtare për Investime Produktive e Republikës Bolivariane të Venezuelës (CIIP).

“Me ministrin Muş zhvilluam një takim të mrekullueshëm. Këtu miratuam objektivat e mëdha të shkëmbimit tregtar dhe konfirmuam përparimin në integrimin e investimeve dhe zhvillimin produktiv ekonomik të vendeve tona”, tha Maduro.

Ai foli për objektivat tregtare mes dy vendeve.

“Venezuela dhe Turqia presin mirëqenie, pasuri dhe dobi reciproke në marrëdhëniet ekonomike në të ardhmen. Deri më tani kështu ka qenë. Edhe më pas kështu do të jetë dhe ne po përparojmë”, tha Maduro.

Duke vënë theksin mbi rëndësinë e Turkish Airlines (THY) mes dy vendeve, Maduro tha: “Mirëpresim gjithmonë rritjen e Turqisë. Aktualisht kemi 7 fluturime në javë dhe kjo do të vazhdojë duke u rritur sepse Turqia nuk bashkon vetëm Karakasin. Në të njëjtën kohë ajo bashkon edhe Istanbulin, Amerikën e Jugut dhe të gjitha rajonet”.

Më tej, ai tha se Venezuela ka arritur në një fazë të re në rritjen ekonomike dhe se ka shënuar përparime të fuqishme edhe në fusha të tjera, përveç naftës.

Maduro bëri thirrje për investime në vendin e tij.

“Venezuela është një vend i pasur me burime natyrore. Ne, ashtu si në sektorin minerar për arin, hekurin, çelikun, aluminin dhe diamantin, jemi të hapur për investime me besim reciprok në të gjithë sektorët e ekonomisë”, tha ai.

“Zoti e ruajttë Turqinë, Zoti e ruajttë Venezuelën!”

Duke nënvizuar vëllazërinë mes dy vendeve, Maduro e përfundoi fjalën e tij duke thënë: “Ju falënderoj për vizitën tuaj. Këtu do të gjeni gjithmonë vëllazëri, ju jam mirënjohës për investimet që keni bërë në Venezuelë. Zoti e ruajttë Turqinë, Zoti e ruajttë Venezuelën, faleminderit shumë. Përshëndes ministrin turk të Tregtisë, përshëndes me respekt presidentin e Turqisë”. /trt