Makarona me sallam dhe burrata ose mozzarella të freskët

Makaronat e sotme janë shumë të thjeshta, por me shumë shije.

Unë kam përdorur sallamin chorizo spanjoll që mund ta gjeni edhe në Shqipëri, por mund të përdorni edhe salçiçe ose lloj tjetër.

Përbërësit:
200 g chorizo, 400 g rigatoni ( për 3-4 persona ), 1 kavanoz salcë domatesh me shije borziloku, ullinj, 1-2 burrata ose mozzarella, 1 qepë e vogël, 2 thelpinj hudhër, kripë, piper, vaj ulliri dhe borzilok i freskët.

Përgatitja:
Vendosim ujin e makaronave për të zier. Në një tigan të thellë shtojmë vaj ulliri dhe pasi është ngrohur pak shtojmë qepën e prerë imët dhe e lëmë të kaurdiset. Shtojmë hudhrat dhe sallamin të prerë në rrathë një pjesë dhe pjesën tjetër e presim imët si mish i grirë. Pasi skuqen mirë, shtojmë salcën, 1 lugë çaji kripë, piper, borzilok të freskët, ullinj, pak ujë dhe e lëmë salcën të ziejë në zjarr të ulët. Ndërkohë uji ka vluar dhe shtojmë makaronat. Kur janë gati, i kullojmë dhe i shtojmë sipër salcës. I përziejmë mirë, dhe i servirim nëpër pjata, ku sipër shtojmë burrata të freskët, gjethe borziloku, pak piper dhe vaj ulliri.