Mal i Zi, shpërthim i fuqishëm në fabrikën e armëve (Foto)

Në fabrikën e armëve “Tara” në Mojkovc të Malit të Zi, rreth orës 08:45, ka ardhur deri tek një shpërthim i fuqishëm, ku sipas të dhënave zyrtare janë plagosur dy persona, bënë të ditur televizioni publik RTCG.

Nga poliklinika në Mojkovc është konfirmuar se ka të plagosur dhe ata janë nisur drejtë Podgoricës: “Është e vërtetë se ka pasur shpërthim, dy të plagosur janë dërguar në spitalin e Bjello Poles,” janë shprehur për RTCG nga Poliklinika e Mojkovcit, ndërkohë punëtorët e plagosur janë transportuar në Qendrën Klinike Universitare të Malit të të Zi në Podgoricë.

Drejtori i Urgjencës në Qendrën Klinike Podgoricë, Dr.Nermin Abdiç, tha se punëtorët e lënduar kanë djegie të shkallës së tretë, që kanë përfshirë 95 për qind të trupit: ”Në orën 10:50 kemi pranuar dy pacientë me moshë mesatare, me plagë serioze të marra me rastin e shpërthimit. Fjala është për djegie të shkallës tretë, në më shumë se 95 për qind të trupit. Këto djegie kërcënojnë jetën e të plagosurve,” tha Abdiç.

Për momentin nuk janë dhënë detaje për shkaqet e shpërthimit, por mediat malazeze duke ju referuar burimeve nga fabrika theksojnë se shpërthimi ka ndodhur në repartin e montimit ku punëtorët ishin duke punuar në të ashtuquajturën “presë”.

Pas shpërthimit, procesi i punës është ndërprerë dhe punëtorët kanë ikur në shtëpi. Menaxhmenti i Fabrikës së municionit “Tara”, nuk ka dhënë ende kurrfarë sqarimi.

Në qershorin e vitit 2015, me rastin e një shpërthimi në këtë fabrikë ka humbur jetën një person, Sllobodanka Çoriç 55 vjeç, dhe janë plagosur shtatë persona.

Në shkurt të vitit 2014 është plagosur shefi i sektorit piroteknik, Gordan Boshkoviç, e më 24 tetor të po këtij viti, janë plagosur gjashtë punëtorë.