Malajzi, arrestohen 15 pjesëtarë të dyshuar të DEASH-it

Gjatë operacioneve antiterroriste të ndërmarra në mbarë Malajzinë janë arrestuar 15 persona për të cilët dyshohet se janë anëtarë të organizatës terroriste DEASH dhe se kanë planifikuar sulm terrorist, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mediat lokale lajmërojnë se aksionet janë kryer nga 27 marsi deri më 9 maj.

Kryeshefi i policisë, Mohamad Fuzi, deklaroi se në mesin e personave të dyshuar gjenden dy afrikanë, gjashtë filipinas dhe një shtetas i Bangladeshit. Në mesin e tyre është edhe një 17 vjeçar.

Në shtëpinë e nxënësit, për të cilin dyshohet se është në radhët e DEASH-it, janë gjetur gjashtë koktej molotovi me të cilat planifikohej sulm në kisha të ndryshme dhe tempuj hindu dhe budistësh.