Maqedoni e Veriut, niset grupi i parë haxhilerëve

Nga Maqedonia e Veriut është nisur për në Arabinë Saudite grupi i parë i besimtarëve muslimanë për të përmbushur obligimin e haxhit, raporton Anadolu.

Me avionin ngritur nga aeroporti ndërkombëtar i Shkupit u nis drejt vendeve të shenjta grupi i parë i besimtarëve që përbëhet nga 180 persona.

Grupi i haxhilerëve u përcollën nga të afërmit e tyre dhe nga Qani Nesimi, myftiu i Tetovës pranë Bashkësisë Fetare Islame (BFI).

Duke folur për Anadolu, Nesimi tha se grupi që po përcjellin sot është grupi i parë i haxhilerëve që niset edhe nga Tetova edhe nga e gjithë Maqedonia e Veriut.

“Aktualisht jemi duke përcjell 180 haxhinj, ndërsa edhe një grup tjetër prej 180 personash do të niset në mbrëmje. Po ashtu nesër në mëngjes niset edhe grupi i tretë prej 180 personash. Deri të enjten e ardhshme do të vazhdojë në këtë mënyrë”, tha Nesimi.

Myftiu i Tetovës njoftoi se këtë vit nga e gjithë Maqedonia e Veriut janë gjithsej 2.030 kandidatë haxhinj.

“Uroj t‘ia kalojnë mirë. Allahu ua pranoftë. Të luten për ne. Të kthehen shëndosh e mirë, të disponuar e të kënaqur”, tha Nesimi.