Maqedoni e Veriut, Shaqir Fetahu zgjidhet kryetar i Bashkësisë Fetare Islame

Bashkësia Fetare Islame (BFI) e Maqedonisë së Veriut në zgjedhjet për kryetar ka vendosur kandidatin Shaqir Fetahu në krye të këtij institucioni fetar, i cili deri më tani ishte ushtrues i detyrës së kryetarit të BFI-së, raporton Anadolu Agency (AA).

Në zgjedhjet e sotme të mbajtura në selinë e BFI-së në Shkup, anëtarët e Rijasetit të BFI-së votuan për dy kandidatë, 18 votuan për Fetahun dhe 3 votuan për muftiun e Muftinisë të Tetovës, Qani Nesimi.

Në konferencën për media pas zgjedhjes së tij në krye të BFI-së, Fetahu tha se puna e këtij institucioni fetar që do të udhëheqë ai do të jetë në shërbim të çdo besimtari dhe qytetari, nëpërmjet dijes, konstultimit dhe transparencës. Ai theksoi se do të ndërtojnë bashkësi serioze e cila me “mençuri dhe maturi” do t’u përgjigjet të gjitha sfidave që i sjell koha dhe vendi.

“Do të ecim në bazë të parimeve të Islamit, domethënë do të mundohemi institucioni ynë të jetë ai që do të mbjellë moralin, njerëzoren dhe shpirtëroren. Për çështjet e politikës kemi pluralizmin demokratik, ku ka parti politike që do të merren me çështjet etnike e nacionale. Ky institucion është i të gjithë muslimanëve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo vendore dhe të gjithë muslimanët janë pjesëmarrës në organizimin e Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Fetahu.

Shpallja e zgjedhjeve nga ky institucion fetar u njoftua më 13 nëntor, kur edhe shpalli kushtet për paraqitjen e kandidaturave. Më 17 shtator, Komisioni Zgjedhor i BFI-së mbajti një takim për të shqyrtuar kandidaturat e marra për zgjedhjen e kryetarit të BFI-së, ku nga tre kandidatura të paraqitura u verifikuan vetëm dy, ajo e Fetahut dhe Nesimit.

Kujtojmë se më 27 maj, Rijaseti i BFI-së mbajti një seancë të jashtëzakonshme në të cilën vendosi të shkarkojë kreun e atëhershëm, Sulejman Rexhepi dhe siç njoftuan atëkohë “deri në përgatitjen e kushteve për zgjedhje të reja ushtrues i detyrës do të jetë Shaqir Fetahu, mufti i Gostivarit”.

Më 30 maj, Rexhepi njoftoi në një deklaratë me shkrim njoftoi se jep dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të BFI-së.

Kush është prof. Shaqir Fetahu

Shaqir Fetahu, i lindur më 25 prill të vitit 1959 në fshatin Çegran të Gostivarit, shkollën e mesme e kreu në vitin 1980 në Shkollën e Mesme Islame Medreseja “Alaudin” në Prishtinë, pas çka vijoi studimet në Fakultetin e Shkencave Islame në Sarajevë duke i kryer me sukses në vitin 1984.

Pas kryerjes së studimeve në Sarajevë, ai u punësua në një xhami në fshatin Çegran si imam dhe mualim ndërsa më pas u emërua si ligjërues në Medresenë “Isa Beu” – Shkup, ku punoi dhjetë vite.

Në vitin 1994, Fetahu u emërua drejtor i sektorit për shkencë dhe kulturë islame pranë BFI-së ndërsa në vitin 2001 u zgjodh mufti i Muftinisë së Gostivarit, detyrë në të cilën është i angazhuar edhe sot. Ai mori edhe drejtim e BFI-së si ushtrues detyre, pasi në muajin maj Rijaseti i BFI-së shkarkoi ish-kryetarin Sulejman Rexhepi.

Fetahu hifzin e Kur’anit e kreu në moshën 15-vjeçare në një xhami në fshatin e tij në Çegran. Ai që nga koha e shkollës së mesme është marrë me shkrime të ndryshe të fushës islame.