Maqedonia e Veriut dënon sulmin rus hipersonik ndaj Ukrainës, e quan “përshkallëzim të pamatur”

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ka dënuar përdorimin nga Rusia të raketës balistike hipersonike Oreshnik kundër qytetit ukrainas Lviv, duke e quajtur atë “një përshkallëzim të pamatur që rrezikon sigurinë rajonale dhe globale”, transmeton Anadolu.

Mucunski në platformën sociale të kompanisë amerikane X gjithashtu tha se sulmi përbën një shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Shefi i diplomacisë maqedonase theksoi mbështetjen e vendit të tij për Ukrainën dhe për përpjekjet ndërkombëtare për paqe.

“Ne qëndrojmë me Ukrainën dhe mbështesim përpjekjet e udhëhequra nga SHBA-ja dhe Evropa për të arritur një paqe gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, të cilën ky përshkallëzim vetëm sa e minon”, tha Mucunski.

Autoritetet ukrainase thanë se kryeqyteti u sulmua gjatë natës me dronë dhe raketa, duke përfshirë raketa balistike, me ndikime të regjistruara në disa rrethe. Sipas zyrtarëve, 4 persona u vranë dhe të paktën 25 të tjerë u plagosën.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se në përgjigje të përpjekjes së dyshuar të Kievit për të sulmuar rezidencën e presidentit rus, Vladimir Putin, forcat e saj nisën një sulm masiv ndaj objektivave kritike ukrainase, përfshirë edhe me raketën Oreshnik.