Marok, shpëtohen 438 migrantë të parregullt

Rojet bregdetare marokene shpëtuan 438 migrantë të parregullt në Detin Mesdhe dhe Oqeanin Atlantik në pesë ditët e fundit, bëri të ditur agjencia shtetërore e lajmeve MAP, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Njësitë e Marinës Mbretërore që veprojnë në Detin Mesdhe dhe Oqeanin Atlantik kanë ofruar ndihmë për 438 migrantë të paligjshëm midis 19 dhe 23 gushtit”, citoi MAP një burim ushtarak.

Burimi tregoi se të shpëtuarit morën ndihmën e parë në bordin e njësive të Marinës Mbretërore para se të transportoheshin në portet e afërta të mbretërisë dhe t’i dorëzoheshin Xhandarmërisë Mbretërore për të kryer procedurat e nevojshme, pa dhënë detaje të tjera.

Në korrik, Maroku njoftoi se rojet e tij bregdetare kanë shpëtuar 368 migrantë të parregullt, përfshirë tre fëmijë dhe shtatë gra, jashtë brigjeve të mbretërisë në Detin Mesdhe.

Në nëntor të vitit të kaluar, Ministria e Brendshme e Marokut tha se ka penguar 26.800 përpjekje për migrim të paligjshëm në vitin 2020 dhe shkatërroi më shumë se 196 rrjete të trafikimit të migrantëve.

Për vite me radhë, Algjeria, Libia, Mauritania, Maroku dhe Tunizia, kanë qenë dëshmitarë të përpjekjeve të migrantëve nga Afrika kryesisht sub-Sahariane për të arritur në Evropë. /aa