MASHT-i apel SBASHK-ut: Mos e bojkotoni procesin mësimor

Ministria e Arsimit e Shkencës dhe e Teknologjisë i ka bërë apel SBASHK-ut, të mos e pengojnë procesin mësimor, të hënën. Këshilltari politik në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Valmir Gashi në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se MASHT-i, është kundër grevës ndërkaq, ka kërkuar të bëhet angazhim institucional së bashku me sindikalistët, për të zgjidhur problemin. “Ne jemi kategorik kundër grevës. Ne nuk e përkrahim grevën, ashtu siç tashmë as prindërit dhe ju bëjmë apel SBASHK-ut, që të mos e pengojnë procesin mësimor, por të bëjmë angazhim të përbashkët institucional”, ka thënë Gashi për Telegrafin. Ndërkaq, Kryetari i Kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj,të dielën, përmes një letre ka apeluar prindërit për mirëkuptim për orët që do t’i humbasin nxënësit duke thënë se ndoshta do të humbasin edhe muaj. Në letrën publikë të SBASHK-ut, thuhet se në grevë po hyjnë “jo pse këtë e dëshirojnë edukatoret, mësuesit, profesorët universitar dhe i tërë stafi i të punësuarve në arsim, por kjo grevë u imponua për shkak se negociatat për plotësimin e kërkesave nuk dhanë rezultate”. SBASHK-u ka njoftuar se do të tërhiqen nga greva vetëm nëse ngritët 30%, koeficienti i mësimdhënësve për paga. Kundër grevës ka dalë edhe Shkolla Fillore “Elena Gjika”, të cilët kanë thënë se me 14 janar (e hënë), do të mbahet mësim i rregullt. Vendimin e shkollës fillore “Elena Gjika, e ka mbështetur edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës. Ymret Reshiti, i cili është kryetar i këtij këshilli, ka bërë thirrje që edhe shkollat tjera ta ndjekin këtë shembull.