Maturantët i nënshtrohen për herë të dytë testit të Maturës

Sot në tërë territorin e Republikës së Kosovës do të mbahet provimi i maturës shtetërore 2018.

Dje në një takim që ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi pati me komisionerët e testit tha se tashmë janë bërë përgatitjet e duhura dhe kërkoj nga të gjithë të angazhuarit në këtë proces që të kryejnë detyrën me përgjegjësi, ashtu që çdo gjë të shkojë mbarë.

Ai kërkoi nga komisionerët e pranishëm që të minimizojnë lëshimet eventuale që kanë ndodhur në afatin e parë të provimit.

Ministri Bytyqi theksoi nevojën e respektimit me rigorozitet të akteve ligjore, vendimit dhe udhëzimit administrativ lidhur me mbarëvajtjen e Testit të Maturës Shtetërore, duke shtuar se dëshiron që të kemi rezultate reale dhe të besueshme.

Në këtë takim po ashtu u tha se, nxënësve nuk do tu lejohet hyrja me telefon në Qendrën e Testimit, ndërsa prindërve u është bërë thirrje që të mos lejojnë fëmijët të marrin telefona, pasi do të përjashtohen nga testi edhe nëse nuk i përdorin.

Telefonat nuk do të lejohet që të përdoren edhe nga administratorët.

Ndryshe, për mbarëvajtjen e këtij testi, MAShT ka angazhuar dhe trajnuar 93 komisioner .

Janë caktuar edhe 630 administrator dhe 105 mbikëqyrës .

Provimin e kanë paraqitur 7896 kandidatë , ndërsa fillon në ora 10 : 00 në të gjitha qendrat e paracaktuara.