Në Shqipëri është mbajtur konferenca shkencore me temë “Në gjurmët e trashëgimisë: Dijetarët shqiptarë të periudhës osmane”, organizuar Qendra Hulumtuese Minber, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).
Në hapje të konferencës së organizuar në sallën e konferencave në Xhaminë e Namazgjasë në Tiranë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, të organizatave të ndryshme, studiues, studentë dhe të ftuar të tjerë.
Koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Mustafa Ata, në fjalën e tij në hapje të konferencës u shpreh se ndërkohë që vijojnë aktivitetet restauruese për ringjalljen e veprave që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të historisë së përbashkët, njëkohësisht mbështesin edhe studime akademike që synojnë promovimin e personaliteteve që kanë kontribuar në jetën shkencore dhe kulturore.
“Si Kryesia e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, kemi filluar aktivitetet tona në Shqipëri që në vitin 1996. Gjatë kësaj periudhe, kemi realizuar mbi 800 projekte, duke u përpjekur të kontribuojmë në forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona. Një pjesë e rëndësishme e këtyre projekteve është përqendruar në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe në mbështetjen e jetës kulturore. Në këtë kuadër, ruajtja dhe forcimi i lidhjeve kulturore, të cilat mbështeten në një histori të thellë ndërmjet popullit turk dhe atij shqiptar, përbën një nga prioritetet tona kryesore”, tha Ata.
Atai theksoi se besojnë se takime të tilla shkencore, ku trajtohen dijetarë shqiptarë që kanë lënë sipas tij gjurmë të rëndësishme në botën e dijes gjatë periudhës osmane dhe më pas, janë tejet të vlefshme për kuptimin e trashëgimisë së përbashkët kulturore dhe për përcjelljen e saj te brezat e ardhshëm.
Drejtori i Qendrës Minber, Ferid Piku, në fjalën e tij tha se konferenca synon të hedhë dritë mbi thesaret e vyera të diturisë dhe dijetarëve që ka prodhuar populli shqiptar gjatë periudhës osmane, sipas tij “thesare të cilat në shumicën dërmuese në këtë rast janë lënë nën hije, janë të pluhurosura dhe shpeshherë fatkeqësisht janë edhe keqkuptuar”.
“Konferenca synon gjithashtu të tërheqë vëmendjen e studiuesve, të studentëve dhe të interesuarve drejt një epoke të gjatë dhe shumë të rëndësishme të historisë së popullit tonë, për të kuptuar më drejt kontekstin kulturor, shoqëror dhe politik të qyteteve tona, institucioneve të fesë dhe dijes, profilit të dijetarëve dhe hoxhallarëve të formuar në medresetë e rajonit tonë dhe medresetë e Istanbulit”, theksoi Piku.
Këshilltari për Çështjet Fetare pranë Ambasadës së Türkiyes në Tiranë, Adem Gerlegiz, theksoi se Shteti Osman në vendet e Ballkanit nuk është mjaftuar vetëm me arritjet politike, por gjithashtu ka kontribuar edhe në fusha të ndryshme fetare, kulturore dhe arsimore.
“Dijetarët të cilët kanë jetuar në këtë periudhë kanë dhënë një kontribut të madh në vendet dhe gjeografinë në të cilën kanë jetuar në atë kohë. Me veprat që ata kanë lënë pas, kanë arritur të jenë pjesë e trashëgimisë e cila ka arritur deri në ditët e sotme”, theksoi Gerlegiz.
Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe myftiu i Tiranës dhe imami i Xhamisë së Namazgjasë, Bilal Teqja, i cili u shpreh se ndihet shumë i lumtur që një konferencë e këtij lloji që lidhet me trashëgiminë dhe dijetarët shqiptarë mbahet në Tiranë.
Pjesë e konferencës njëditore janë studiues nga Shqipëria, Türkiye, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.








